PPD-ja jeton në ide dhe mendime

Nga Xheladin MURATI

Marketing

Tani 30 vite më parë (15 prill 1990), në ndërtesën e Domit (i cili nuk ekziston më), por ka mbetur pllaka e datës së formimit të saj e vendosur te parku i rinisë në Xhepçisht u themelua PPD-ja. Në atë kohë as themeluesit e saj nuk e kanë pasur lehtë të besojnë se bëjnë diçka madhore, se pas themelimit të saj do të ndodhin çudira në të. PPD-ja u themelua dhe morri karakter të një lëvizje të gjerë popullore. Kjo lëvizje kishte për objektiv dhe synim:
– Statusin kushtetues juridik të shqiptarëve, statusin e popullit shtetformues,

– Liri dhe drejtësi për shqiptarët e Maqedonisë,

– Barazi politike, arsimore, kulturore, gjuhësore, informative dhe ekonomike për shqiptarët, ato të mos jenë të margjinalizuar e të diskriminuar,

– Maqedonia shtet demokratik dhe i pavarur nga federata jugosllave.

– Mënjanimin e padrejtësive në shoqëri.

– Lirinë e të shprehurit të qytetarëve.
PPD-ja është emër më i madh në historinë bashkëkohore të shqiptarëve në Maqedoninë postkomuniste. Si e para parti politike shqiptare (1990) përfshi të gjithë shqiptarët nga 7 deri në 77 vjet, siç thuhej, dhe kjo sa ishte mire po aq edhe vështirë mbase aty kishte rryma të ndryshme, kishte fërkime, mospajtime, sjellje jo korrekte, kishte konfrontime, divergjenca për shumë çështje dhe çështja më e madhe ishte pse shqiptarët e Maqedonisë nuk janë të barabartë me maqedonasit.
E vetmja mënyrë për të qëndruar ballëhapur dhe për t’i dhënë një kuptim politikës me pushtetin maqedonas ishte të fitonim zgjedhjet e para parlamentare pluraliste. Dhe PPD-ja e bëri këtë me shumë manipulime nga pushteti sllavomaqedonas. Shqiptarët fituan 23 deputet, jo aq sa pritën e sa meritonin.Në zgjedhjet e para parlamentare pluraliste (1990) u zgjodhën 23 deputet shqiptar nga PPD-ja në koalicion ne Partinë Popullore. Ato ishin: Xheladin Murati, Abdurahman Aliti, Hamit Aliu, Vebi Xhemaili, Muhamet Halili, Avdi Murtezani Nga Tetova, Eshref Ali, Naser Zyberi, Naif Mustafa, Shaban Prevalla, Ismet Ramadani, Asllan Selmani, Agim Fazliu nga Shkupi, Naim Selmani, Xhelil Tairi, Sejfedin Haruni, Nexhadin Xhaferi, Zudi Emini, Ferid Sadiku nga Gostivari, Gazmend Ajdaraga nga Dibra, Mersim Pollozhani nga Struga, Olloman Sulejmani nga Kërçova dhe Hysni Shaqiri nga Kumanova. Të gjithë këta deputet reflektuan idenë kombëtare, mençuri politike, elegance dhe dije.

Edhe unë jam i lidhur me të, pasi kam kaluar kohë bashkë me të dhe turbulencat e saj të krijuara nga brenda e nga jashtë.

Rruga e rritjes dhe e zhvillimit të PPD-së si formë politike nuk ishte një vijë e drejtë, por pati lloj-lloj zigzage, përplasje, kthesash, vështirësish, fitoresh e gabimesh, suksesit e të meta. Gjithsesi të nxituar nga faktor të brendshëm e të jashtëm. Prandaj edhe ky zhvillim dhe rritje e saj është burim për studime e analiza. Ne nuk ishim të mire sa duhet për t’i mposhtur tendencat përçarëse dhe PPD-ja u përballë me një sfidë shumë të vështirë- tronditjen e tërësisë së saj (1993), pra 3 vjet pas formimit..Poria doli, u ribë sërish. PPD-ja tregoi konsistencë në programin e saj politik por jo konsistencë dhe paqëndrueshmëri në politikën kadrovike. Me partinë udhëhoqën Nevzat Halili, Xheladin Murati, Abdurahman Aliti, Imer Imeri dhe Abdylhadi Vejseli.
PPD-ja në kushte e rrethana tjetërfare, të nismës së pluralizmit ishte kryesorja për hapjen e problemeve të shqiptarëve të Maqedonisë në politikën dhe pushtetin maqedonas, të cilët ishin të nëpërkëmbur, të përçmuar, të dënuar nga pushteti monist dhe shqipfolës që ishin në shërbim të po atij sistemi. Ajo votoj për pavarësinë e shtetit të Maqedonisë nga ish federate jugosllave, e cila shqiptarëve u solli 901 të zeza. Ajo u angazhua për zhvillimin e demokracisë dhe demokratizimin e marrëdhënieve në shoqëri. Por ajo nuk ishte as qengj e as pulë, ishte ujk, dhelpër, gjel.
PPD-ja me formimin e saj si strukturë politike dhe me hyrjen në parlament (7 janar 1991) luftoi për nivel demokratik të shoqërisë ku shqiptarët do të ngrihen në popull shtetformues. Ajo nuk e përdorte termin pakicë kombëtare për shqiptarët. Luftoi që shqiptarët të integrohen në çdo pore të jetës shoqërore duke e ruajtur identitetin e tyre nacional e kulturor.Luftoi për hapjen dhe zgjerimin e institucioneve shqiptare. Por edhe pse shoqëria kaloi në pluralizëm, megjithatë politika moniste maqedonase e vazhdonte sjelljen e saj sikur jeton me të kaluarën. Diversiteti politik vështirë provohej.
Momentalisht anëtarët e PPD-së janë lojtar të mire nëpër partitë e tjera shqiptare pse jo edhe në ato maqedonase si SDSM. Por nëse ndodh një bashkim të mendimeve dhe ideve fillestare, forcat e saja të dikurshme mund të mbyllin një operacion me sukses. Nuk ka afat kalimtar, ka vetëm kondicion politik.
PPD-ja u formua dhe funksionoj si ekip jo unik, sepse aty kishte shumë përplasje mendimesh e idesh. Atu kishte forca centrifugale dhe centripetale, kishte lojtar qendërsulmues, mesfushor-golashënues, sulmues, qendërmbrojtës e anësor që nuk e çonin topin drejt te porta triumfale, madje referat ishin jo objektiv. Lojtarët e saj mendonin se secili mund të bëhet trajner dhe kapiten. Pasi e zgjidhnin kapitenin e trajnerin, mandej hyxhym ta ndërrojnë se nuk bën.
Prandaj në këtë vorbullë të fërkimeve PPD-ja pati shumë kapiten e trajner, madje disa vepronin në hije për të bërë sherr ashtu edhe siç ndodhi nga vet kapitenët e saj të cilët e shkatërruan partinë nga brenda, e bashkuan me tjetër, e lëne në rrugë. Sepse me mendje rrinin në parti tjetër. Atëherë afat kalimtar nuk kishte, kujt i tekej kalonte te tjetri. Këto lojtar e trajner e shkatërronin partinë nga brenda dhe jashtë.

Shkaqet e shkatërrimit të saj janë të shumtë si të brendshëm edhe të jashtëm, por nuk do të ndalem në këto, meqë i kam thënë më pare. (Shiko Xheladin Murati, Profili politik i PPD-së – Krijimi, shkëlqimi dhe rënia, Cabej, Tetovë, 2010) Shkaqet për mosaktivizmin e saj dhe ngritjen në skenën politike, pas shumë përpjekjeve, po ashtu janë të shumtë.
Përpjekjet për ngritjen e saj ishin që nga rasti kur kryetari A. Vejseli e bashkoi me PDSH. Një numër anëtarësh dhe funksionar të saj nuk u pajtuan dhe sërish përmes gjyqit e bën partinë me organe dhe kryetar u zgjodh Sefedin Haruni (2009) i cili për kohë të shkurtë u tërhoq. Iniciativa dhe përpjekjet për riaktivizimin e PPD-së vazhduan edhe më tej. Kryetarët që zgjidheshin largoheshin siç ishin: Nexhat Bexheti, Arben Rusi, Abdylhadi Vejseli, Teuta Llalla, Faton Aliti. Kështu PPD-ja shkon nga dështimi në dështim dhe nuk ngrihet më. E ndiqnin telashet gjithmonë. Kjo edhe për arsye se asaj i mungonte strategjia për riaktivizimin.

Që nga nisma dhe fillimi i veprimit politik të partisë kishte mendime të shumta, njerëzit nga jashtë gjuanin gabimet dhe vet nuk angazhoheshin të kontribuojnë. Programi i saj ka qenë dhe mbetet shtyllë më kombëtare për veprimtari politike. Kishte edhe atëherë mendime ndryshe dhe ajo ishte mire deri sa ato ishin këshilla, sugjerime, taktikë e strategji për veprim. Por me vet formimin e PPD-së qëndronin mospajtime e konfrontime, kishte divergjenca. Kjo ishte rezultat i tepruar i demokracisë së brendshme, lirisë së shprehjes dhe e gjithë kjo u reflektua nga forca që e gërryenin partinë nga brenda e jashtë. Besoj se sot të gjithë ata e ndjejnë dëmin që i sjellën partisë dhe reflektojnë gjynah e pendesë për veprimet e bëra. PPD-ja nuk ishte në gjendje t’u kundërshtoj konfrontimeve të brendshme sepse brenda ishte më ngrohtë, por nuk arriti as me kontradiktat të mësohej të jetoj sepse jashtë ishte më ftohtë. Për më tepër ishte e qartë se ekuilibri i forcave të brendshme e të jashtme po ndryshon, por ajo nuk ishte e vetëdijshme se ç’ndodh dhe e nënvlerësoj aftësinë e saj kolektive duke e vënë në dyshim forcën e saj kombëtare.
Është shkruar dhe diskutuar shumë për Partinë për Prosperitet Demokratik, për çështjen e formimit, të rritjes dhe të shkatërrimit. Por do të shkruhet edhe më shumë sepse ajo ishte nisma dhe fillesa e pluralizmit dhe demokracisë ndërshqiptare. Shumëkush e shante, kritikonte, ofendonte, të tjerët e përkrahnin dhe lëvdonin dhe të tretët bën plane për shkatërrimin e saj. PPD-në e shkatërruan, por shpirti, fryma e saj dhe mendimi për të gjallërojnë. Forca e saj me diapazon të gjerë është e disperzuar në parti të tjera. Dhe të gjithë e mendojnë PPD-në e në këtë moment kur e shënojmë 30 vjetorin e nismës së saj, besoj se secili i kthen sytë pas. PPD-ja edhe pse i takon historisë mbetet simbol i demokracisë shqiptare.
Vëmendje më të madhe kërkon ndërtimi i strategjisë për riaktivizim sepse ajo është defokusuar nga partitë e tjera. Edhe strategjitë e ndryshme të PPD-së në 30 vitet e kaluara sikur kanë mbetur në letra. Mbetet që programi politik i saj dhe anëtarët të ofrojnë ndihmë dhe zgjidhje se çfarë PPD-je duam.
Ata që barten me problemet e riaktivizimit duhet të analizojnë trendet e zhvillimit, llojet e programeve, interesimet e anëtarëve, madje edhe shkaqet për pasivizimin e saj që të mund në bazë të kësaj, edhe ta orientojnë zhvillimin eventual, rindërtimin e mundshëm dhe riaktivizimin e vërtetë të saj në skenën politike. Nëse ndodh! (koha.mk)