Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së: Vendim pozitiv për Shkupin e Tiranën

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian do të vendosë pozitivisht për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ka mësuar Radio Evropa e Lirë.

Marketing

Në draftin e konkluzioneve që ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se ministrat e vendeve anëtare të BE-së do të vendosin për hapjen e negociatave me Shkupin e Tiranën, me kusht që konkluzionet miratohen nga Këshilli Evropian.

Këto konkluzione duhet të miratohen në një takim që është paraparë të mbahet më 24 mars, por, sipas të gjitha gjasave, ai do të zhvillohet në formatin e telekonferencës, për shkak të masave preventive kundër koronavirusit.

“Këshilli i bën thirrje Komisionit Evropian, që pa vonesa dhe më së voni deri në qershor, të paraqesë propozimin për negociatat, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare të thirret pa vonesa, pas miratimit të negociatave”, thuhet në draftin e konkluzioneve.

Këto konkluzione që duhet t’i miratojë Këshilli i Ministrave të BE-së të martën e ardhshme, duhet t’i mbështesin shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin që është caktuar të mbahet më 27 dhe 28 mars.

Për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, ka shumë mundësi që edhe ky takim të mbahet në format të video-konferencës.

Maqedonia e Veriut pret nisjen e negociatave me BE-në qysh në vitin 2009, ndërsa Shqipëria qysh më 2018.

Në tetor të vitit të kaluar, Franca e ka bllokuar vendimin pozitiv për këto dy vende, duke kërkuar reforma të mëtejshme nga to, por edhe reformim të vetë procesit të zgjerimit të BE-së.

Për rrjedhojë, javë me parë është paraqitur metodologjia e re e zgjerimit të BE-së.