Mblidhet Këshilli për preventivë në Komunën e Çairit
Sot në hapësirat e Komunës së Çairit, u mblodh Këshilli për preventivë, si rezultat i nevojës për menaxhinin e aktiviteteve në këtë gjendje jo të zakonshme me të cilën po përballemi aktualisht si shoqëri, me shfaqjen e pandemisë së COVID -19.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin dhe përfaqësuesit e më tepër institucioneve relevante si: Kryqi i Kuq-Çair, MPB, Bashkësitë Fetare, Qendra rajonale për menaxhim me kriza -Çair, Ndërrmarjet Publike si dhe këshilltarët komunal respektivisht anëtarët e këshillit për preventivë, si dhe përfaqësues nga institucionet shëndetësore.
Në këtë mbledhje u sollën këto konkluzione : ↙️
Konkluzionet e mbledhjet së parë të Këshillit për preventivë në Komunën e Çairit
17.03.2020 – E Martë
1. Komuna e Çairit në bashkëpunim me Qendrën rajonale për menaxhim me kriza me seli në Çair do të zbatojë të gjitha masat që do të ndërmerren në nivel qendror.
2. Këshilli për preventivë do të jetë në mbledhje të përhershme, do të koordinohet dhe intervenojë në bazë të nevojave.
3. Komuna e Çairit njofton opinionin e gjërë se deri më sot 17.03.2020 nuk ka të prekur asnjë qytetar të Komunës së Çairit nga virusi Covid – 19.
4. Komuna e Çairit do të japë mbështetjen e plotë Kryqit të Kuq rajonal në Çair për menaxhim me situatën e krijuar.
5. Komuna e Çairit ka marrë përsipër të bëjë dezinfektimin e të gjitha objekteve që janë nën kompetencat e saj (shkollat, çerdhet, objektin administrativ etj), si dhe të gjitha objektet fetare në territorin e saj. Poashtu kërkon nga të gjitha organet kompetente për objektet në territorin e saj të bëjnë dezinfektimin e të njejtave.
6. Komuna e Çairit sëbashku me NP “Higjiena Komunale” do të fillojë me pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve në territorin e Komunës së Çairit.