Liderët turk, gjerman, francez dhe britanik mbajnë telekonferencë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një telekonferencë me liderin francez, gjerman dhe atë britanik, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Samiti katërpalësh me pjesëmarrjen e presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelares gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrit britanik, Boris Johnson, diskutuan masat e mundshme të përbashkëta kundër shpërthimit global të koronavirusit.

Samiti ishte planifikuar më parë të mbahej në Stamboll, por u mbajt përmes video-konferencës, si pjesë e masave të marra për të penguar përhapjen e koronavirusit të ri, të njohur zyrtarisht si COVID-19.

Virusi për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar dhe që atëherë është përhapur në të paktën 150 vende dhe territore. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) shpalli shpërthimin një pandemi.

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila grumbullon numrat e ri të rasteve me koronavirus, nga mbi 190 mijë raste të konfirmuara, numri i vdekjeve aktualisht tejkalon shifrën 7.500, ndërsa më shumë se 80.800 janë shëruar.

Turqia aktualisht ka 47 raste të konfirmuara, shumica prej të cilave ishin kontraktuar përmes vizitave të huaja në SHBA, Bashkimin Evropian (BE) ose në Arabinë Saudite. Deri më tani nuk janë regjistruar vdekje në këtë vend.

Ndër temat e tjera të diskutimit ishin çështjet që kishin të bënin me krizën siriane dhe ndihmën humanitare për qytetin veriperëndimor të Sirisë, Idlib, si dhe për situatën e azilkërkuesve, zhvillimet e fundit në Libi dhe lidhjet Turqi-BE.

Muajin e kaluar, Turqia hapi kufijtë e saj për azilkërkuesit që kërkojnë shpëtim drejt Evropës, duke e akuzuar BE-në se dështoi t’u përmbahej premtimeve nën marrëveshjen e migrantëve të vitit 2016.

Ankaraja po ashtu paralajmëroi se për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj civilëve në Idlib, një milion refugjatë po lëviznin drejt kufijve të Turqisë.

Me 3.7 milion migrantë sirianë tashmë në Turqi, më shumë refugjatë të strehuar se në çdo vend tjetër në botë, Ankaraja thotë se nuk mund të përvetësoj një valë tjetër refugjatësh.