Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.
Në një njoftim për media thuhet se Veliu, për televizionin Klan Kosova, “u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirus dhe se Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.
Sipas Kurtit, “as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë thënë se numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë”.
Përmes deklaratave të bëra publikisht, “por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme”, Veliu ka “dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.
“Në këto rrethana, jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, tha Kurti, duke shtuar se deri në zgjedhjen e ministrit të ri, detyrën do ta kryejë zëvendësministri aktual, Xhelal Sveçla.
Të martën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ku aktualisht 19 persona janë të prekur me koronavirus.
Qeveria e Kosovës, përmes zëvendëskryeministrit Haki Abazi, ka thënë se këtë propozim e konsideron si masë ekstreme.
Qeveria Kurti është votuar më 3 shkurt, 2020.
Agim Veliu ka hequr dorë nga posti i kryetarit të Podujevës, për t’u bërë ministër, duke e çuar këtë komunë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Veliu mban postin e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës – parti partnere në koalicionin qeverisës.