Instituti i Shëndetit Publik deklaron se Spitalet në vend kanë kapacitet të përballojnë pandeminë e Virusit Korona. Në atë drejtim ata thanë se kanë vënë në funksion të gjithë potencialet për parandalimin e përhapjes së virusit.
Në laboratorët e tyre deri më tani janë bërë 258 teste për Covid-19. Drejtori i ISHP-së Shaban Memeti tha se stafi mjekësorë është i mjaftueshëm për aq shtretër që posedojnë nëpër spitalet shtetërore dhe private. Sipas tij, kategoria më e prekur nga CoVid-19 janë të sëmurët kronik, por pa thënë se sa është përqindja e tyre në vend.
Pjesa më e prekur nga virusi respirator janë të sëmurët kronik, të sëmurit me komorbilitete të sëmundjeve të mushkërive, të veshkave, të zemrës. Njerëzit me patologji malinje dhe moshat e reja të rasteve me kancer si dhe rasteve me ulje të imunitetit. Tani si numër nuk mund ta them, por targeti më i madh i virusit korona është kjo kategori e pacientëve- deklaroi Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik në RMV.
Nga Ky Institut thonë se përveç kapaciteteve të hapësirave spitalore dhe pajisjeve mjekësore, staf plotësues do të ketë në ndihmë të epidemiologëve. Potenciali mjekësor është më i rëndësishmi sipas drejtorit të qendrës për shëndet publik Arben Ziberi dhe ata fillimisht duhet të bëjnë kujdes që mos të infektohen vetë.
Sa i përkeq epidemiologëve, ne kemi formuar edhe 6 ekipe të tjera të epidemiologëve në Qendrën për Shëndet Publik dhe t gjithë janë në dispozicion. Por, kapacitetet tona mund edhe të shtohen për shkak se mbi të gjitha ne kemi edhe mjek që nuk janë epidemiolog, por janë mjek mbi të gjitha, varësisht situatës ne do të shtojmë kapacitetet që tu vijmë në ndihmë të gjithë të prekurve nga virusi- tha Arben Ziberi, Drejtor i Qendrës për shëndet publik në Shkup.
Sipas Drejtorit të Qendrës për shëndet publik mbi 1 mijë thirrje çdo ditë bëhen në linjën telefonike të hapur për rastet e konsultave dhe paraqitjeve të simptomave me virusin korona.