Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka dënuar me nga 2 mijë euro dy kumanovarët të cilët nuk respektuan masën e izolimit shtëpiak. Dënimet janë shqiptuar në bazë të nenit 206, alinea 1 të Kodit Penal për mosrespektim të rregullave shëndetësore në kushte epidemie.
Sipas të njejtit ligj PTHP e Kumanovës pritet të ndërmer masa ndëshkuese edhe ndaj A.S. 67 vjeç , i cili edhe përkundër faktit se pas arritjes nga Belgjika, në aeroportin e Shkupit kishte nënshkruar deklaratën për vetëizolim 14 ditor, gjatë kontrollit policor nuk është gjetur në shtëpi.
Edhe ndaj D.T. 60 vjeç nga Kumanova pritet të ngritet kallzim penal për mosrespektim të rregullave shëndetësore në bazë të nenit 206 alinea 1 të Kodit penal. D.T. më datë 18 mars , si pronar i lokalit shërbyes “Olimpisko derbi“ në rrugën “Mosha Pijade” nr. 196, ka vepruar në kundërshtim me rekomandimet e Qeverisë, pra ka hapur lokalin e tij , ku kanë qenë dy klientë duke pirë pije.
Për këto arsye edhe në mbledhjen e pestë, Këshilli komunal për mbrojtje dhe shpëtim i përkujton qytetarët për respektimin e rekomandimeve të Qeverisë, sepse në të kundërtën do të gjobiten. Ndërkohë kanë vazhduar aktivitetet për dezinfektimin e ambienteve të të gjitha institucioneve shtetërore, shkollave si dhe objekteve fetare. Marketet kanë filluar të punojnë me orar të reduktuar, me qëllim të parandalimit të zgjerimit të virusit Korona.
Me përpikmëri po respektohen edhe vendimet e BFI që namazet të mos falen nëpër Xhamitë e Kumanovës dhe Likovës, por në shtëpi.