Data për Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 do të përcaktohet pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe Dekretit me fuqi ligjore që atëherë duhet ta miratojë Qeveria teknike, e drejtuar nga Oliver Spasovski.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dje solli konkluzë për pezullimin e aktiviteteve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që duhej të mbaheshin më 12 prill duke vepruar sipas Dekretit të miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë vendim Qeveria e mori për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur për të parandaluar në mënyrë efektive përhapjen e koronavirusit Kovid-19 dhe për shkak se Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mblidhet që ta shfuqizojë vendimin e shpërbërjes.
“Pezullohen të gjitha aktivitetet e mëtejmë të Komisioneve komunale zgjedhore. Të gjitha aktivitetet zgjedhore që janë ndërmarrë deri më 22 mars 2020 konsiderohen të vlefshme. Të gjitha aktivitetet e tjera që dalin nga Kodi zgjedhor do të parashihen me orarin e reviduar që KSHZ e ka sjell menjëherë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme me sjelljen e Dekretit të ri të Qeverisë për vazhdimin e procesit zgjedhor”, ka thënë kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski duke propozuar konkluzën.
KSHZ është e obliguar ta ruajë dhe sigurojë dokumentin zgjedhor deri në zbatimin e aktiviteteve zgjedhore dhe zgjedhjeve menjëherë pas situatës së ndryshuar ose sjelljes së Dekretit të ri të Qeverisë për vazhdimin e aktiviteteve zgjedhore do të duhet të sjell orar të reviduar për zgjedhjet. KSHZ-ja, brenda një dite nga përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme, sipas Dekretit të Qeverisë, duhet të publikojë në faqen e saj të internetit orar të rishikuar për vazhdimin e aktiviteteve zgjedhore.
“Kjo para së gjithash i referohet Kodit zgjedhor, aktiviteteve që ndërlidhen me të, mbikëqyrjen, përmbylljen e Listës zgjedhore dhe tjera”, ka informuar Derkovski.
Për zgjedhjet listat e tyre të kandidatëve i parashtruan 15 koalicione dhe parti
KSHZ-ja para miratimit të Dekretit të Qeverisë për ndërprerjen e veprimeve zgjedhore dhe vendimit të liderëve politikë për anulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 12 prill i konfirmoi listat e 15 koalicioneve dhe partive me 1.598 kandidatë, ndërsa e konfirmoi edhe pamjen e fletëvotimit.
Me lista të tyre të kandidatëve në gjashtë njësi zgjedhore do të marrin pjesë BDI, koalicioni “Ne mundemi” i udhëhequr nga LSDM dhe Besa, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE “Ripërtëritja e Maqedonisë”, partia politike INTEGRA, “Asnjëherë e Veriut, Gjithmonë Maqedoni”, Demokratë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, E Majta dhe Partia e Punës, si dhe PDSH.
USD, UQD dhe Zëri për Maqedoninë nuk do të marrin pjesë në “gjashtëshen”, gjegjësisht, ata dorëzuan lista vetëm për njësit zgjedhore 1, 2, 3, 4 dhe 5. “Partia jote” ka dorëzuar listë të kandidatëve për njësit zgjedhore 1, 2 dhe 5.
Në rast se nuk përsëritet paraqitja në diasporë , votim për zgjedhjet parlamentare nuk do të ketë jashtë vendit.
Anëtarët e KSHZ-së konstatuan se në diasporë nuk ka numër të mjaftueshëm të votuesve të paraqitur, pasi që shumë nga ata që ishin regjistruar kanë pasur numër të madh të paraqitjeve të pavlefshme për shkak se disa mërgimtarë janë paraqitur nga adresa të njëjta, ndërsa duhet nga adresa personale. Për votim janë paraqitur 7.535 qytetarë të Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë, ndërsa janë pranuar vetëm 6,096 paraqitje. Kështu që, nuk ishte arritur numri prej 6,540 sa kishte fituar deputeti me më së paku vota në zgjedhjet e fundit,sa duhet ligjërisht për organizimin e zgjedhjeve në diasporë.
KSHZ në periudhën e kaluar ka kryer edhe një pjesë të edukimit të këshillave komunal zgjedhor, por ajo u desh të ndërpritet për shkak të komplikimit të situatës me përhapjen e koronavirusit në vend. Ishin ekipuar të gjithë organet zgjedhore, si dhe ishin angazhuar përkohësisht personat për ndihmën e KSHZ-së, të cilëve tani angazhimi i tyre u është pezulluar dhe ata tani duhet të kthehen në vendet e tyre të punës.