Komuna e Strugës,me masa për parandalimin e përhapjes së virusit

Edhe pse Struga mbetet ende një nga qytetet e paprekura nga virusi COVID-19, masat për parandalimin e përhapjes së virusit tashmë janë marrë, si nga organet kompetente po ashtu edhe nga vetë qytetarët. Komuna e Strugës qëndron vigjilente për çfarëdo rasti që mund të paraqitet në qytetin e Strugës, duke ndjekur situatën në nivel shtetëror. Njësia Territoriale e Zjarrfikësve – Strugë së bashku me Ndërmarrjen Publike Komunale – Strugë, kanë vazhduar larjen dhe dezinfektimin e të gjitha rrugëve si dhe institucioneve shtetërore, jo vetëm në qytet por edhe nëpër fshatra.

Marketing

Edhe qytetarët e Strugës i kanë marrat masat për parandalimin e përhapjes së virusit dhe kanë filluar vetizolimin. Megjithatë, duke qenë se qyteti i Strugës është i rrethuar nga qytete të cilat janë të prekura nga virusi, nga komuna e Strugës bëjnë apel të vazhdueshëm drejt qytetarëve për të mos dalë jashtë nëse nuk kanë nevojë, të ruajnë distancën mes njëri-tjetrit si dhe t’ju shmangen turmave.

Qyteti i Strugës këto ditë ka qenë pothuajse bosh, shihen vetëm qytetarë të cilët kanë dalë për të kryer nevojat e tyre primare, duke marrë masa mjekësore si dhe materiale ushqimore, duke përdorur maska dhe doreza gjatë daljes në qytet, kështu duke respektuar të gjitha rekomandimet e qeverisë.