Platformat online për konvertimin e valutave ngritën panik të madh në Maqedoni. Nëse shihet përditësimi i fundit në këtë platformë, mund të shihet se një euro kushton 63.5 denarë, që është për 2 denarë më shumë sesa vlera që ishte para dy ditëve.
Njerëzit u friguan se po bie vlera e denarit, përkatësisht se ka devalvim.
Por nëse shikoni kursin e sotëm të denarit në Bankën Popullore por edhe në bankat private të vendit tonë që punojnë sipas udhëzimeve të BPRM-së, do të shihni se kursi mesatar i denarit në raport me euron është 61,69 denarë ose praktikisht pa ndryshime drastike në raport me periudhën e mëparshme.
Nga Banka Popullore thonë se kursi devizor i denarit është stabil dhe se nuk ka ndryshime. Shtojnë se disponojnë me seri instrumentesh me të cilat garantojnë se kursi devizor i denarit, në raport me euron, do të mbetet stabil.
“Duke pasur parasysh se në disa media edhe në rrjetet social janë publikuar informacione në të cilat komentohet kursi devizor në platformat online, duam të themi se këto platforma nuk janë burim relevant për ndjekjen e vlerës së denarit. Publikimet në këto platforma online nuk dalin nga tregtimi real me valutat. Burim i vetëm relevant sipas së cilit popullsia dhe kompanitë mund të ndjekin kursin devizor të valutës vendase është lista e kursit devizor që ne si bankë qendrore e publikojmë në ueb faqen tonë”, thonë nga BPRM.
Nga BPRM thonë se lista e tyre e kursit devizor i pasqyron çmimet e valutave nga tregtimi real në tregun vendas të valutave. Gjithashtu apelojnë për informim të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për informacione të vërteta, posaçërisht në këtë temë, për shkak se në të kundërtën mund të ndodh të ketë efekte negative ndaj ekonomisë.
“Çdo interpretim i informacioneve në lidhje me valutën vendore mund të krijojë efekte negative për ekonominë tonë. Apelojmë që platformat online të mos shfrytëzohen si burim relevant i informacioneve dhe ata nuk vlerësohen si të dhëna relevante. Këto platforma nuk e tregojnë vlerën sipas së cilës valutat e huaja blihen në tregun vendas, përkatësisht në banka dhe këmbimore”, deklaruan nga Banka Popullore.
Rezervat valutore që janë kyçe për mbajtjen e stabilitetit të kursit të valutës vendase janë në nivel të lartë edhe atë dyfish më lart nga ajo para krizës ekonomike globale të vitit 2008, thonë nga BPRM.