De Biasi: Gjesti i Shqipërisë, shembull i madh botëror

Gianni De Biasi nuk e fsheh krenarinë për dërgimin e një trupe prej 10 mjekësh e 20 infermierësh shqiptarë në vijën e parë të frontit, në Lombardi.

Marketing

Në një rrëfim për mediet italine, ish-trajneri i Shqipërisë ka marrë edhe nënshtetësinë shqiptare) thotë se kjo mirënjohje e shqiptarëve ndaj popullit Italian është shembull botëror.

“Me shqiptarët kemi dhënë dhe kemi marrë në mënyrë reciproke. U krijua menjëherë lidhja ndaj u ndjeva pjesë e atij populli, aq sa u bëra pjesë e tij edhe me marrjen e nënshtetësisë. Janë pranë Italisë në këto momente edhe si shprehje mirënjohjeje të konsoliduar në kohë. Shumë vite më parë, ne u kemi dhënë atyre një mundësi dhe tani ata po na e japin ne. Ky është një shembull i madh në nivel botëror”.

De Biasi tregon se kishte komunikuar nëpërmjet mesazheve me kryministrin Edi Rama, me të cilin konfirmoi e ruan marrëdhënie të ngushta.

“I dërgova një mesazh Edi Ramës për të theksuar gjestin e madh njerëzor nga ana e tij dhe popullit shqiptar. I thashë të ishte krenar për shembullin që i ka dhënë botës. Ai u zgjodh kur unë drejtoja kombëtaren dhe kemi krijuar menjëherë lidhje dhe ka lindur nëj miqësi e fortë. Ai vetë ka qenë basketbollist dhe ka pasur gjithmonë vëmendje ndaj sportit. Në periudhën kur unë drejtoja Shqipërinë, Kombëtarja i dha një mësim shumë të rinjve se si mund të realizohen enrdrrat e tyre”.