Arifi apel Bankave që të gjejnë mënyra alternative për ndarjen e pensioneve

“Sot në hapësirat e komunës së Tetovës u realizua mbledhja e 4-të me radhë e Shtabit të Krizës pranë Komunës së Tetovës lidhur me përhapjen e COVID19 në territorin e komunës së Tetovës.

Marketing

-Ashtu siç jemi informuar nga organet kompetente shëndetësore në komunën e Tetovës janë evidentuar gjithsej 6 raste me COVID19. Prej tyre, 3 janë me vendbanim në Komunën e Tetovës, 1 në komunën e Zhelinës, 1 rast në komunën e Bogovinës si dhe 1 rast i konfirmuar të një qytetari nga komuna e Jegunovcës me vendbanim aktual në komunën e Tearcës;

-Nga Spitali Klinik në Tetovë informuan se kanë në dispozicion 400 shtretër dhe personel shëndetësor që do të mundet tju përgjigjet nevojave në rast të përhapjes më të madhe të numrit të të infektuarve në komunën e Tetovës;

-Në këtë moment në Komunën e Tetovës janë 235 persona që ndodhen në vetëizolim shtëpiak, kurse 64 persona gjenden në izolim të detyrueshëm në hotelet e Kodrës së Diellit, të cilët me vendim të qeverisë janë caktuar për këtë destinim.

-Apelojmë deri tek Bankat komerciale në komunën e Tetovës të gjejnë mënyra alternative për ndarjen e pensioneve, për të evituar radhët dhe grumbullimin e pensionistëve përpara hapësirave të tyre, duke u nisur nga fakti se pikërisht kjo kategori e qytetarëve është më e rrezikuar nga COVID19;

-Kryqi i Kuq vazhdon me ndarjen e produkteve ushqimore dhe medikamenteve për personat që gjenden në izolim shtëpiak, si dhe për kategoritë e rrezikuara sociale. Shtabi i krizës gjithashtu do të hap linjën përmes së cilës do të mund të paraqiten vullnetarë për të kryer furnizimet e nevojshme deri tek kategoritë e lartpërmendura të qytetarëve;

-Ministria e Bujqësisë informoi se janë siguruar lejet e veçanta për qarkullim të blegtorëve dhe bujqve me qëllim që ata të munden të ushtrojnë pa pengesë aktivitetin e tyre ekonomik edhe në kushte të qarkullimit të kufizuar në vend;

-Mësimi online vazhdon të realizohet në të gjitha shkollat e mesme dhe fillore të komunës së Tetovës. Sektori për arsim pranë komunës së Tetovës është në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së RMV, me qëllim që të mundësohet kyçje e plotë e të gjithë nxënësve në procesin e mësimdhënies elektronike;

-Shërbimet komunale të NPK Tetova dhe Njësisë Teritoriale Kundër Zjarrit, në vazhdimësi bëjnë larjen dhe dezinfektimin e rrugëve, hapësirave publike si dhe hyrjeve banesore. Deri më tani janë larë dhe dezinfektuar rrugët në qytet si dhe vendbanimet: Poroj, Xhepçisht, Reçicë e Madhe dhe Reçicë e Vogël. Ditët në vazhdim do të trajtohen edhe vendbanimet rurale të malësisë së Tetovës si dhe fshatrat Falish dhe Saraqinë;

-Dua të falënderoj të personelin shëndetësor, punëtorët e mirëmbajtjes komunale si dhe NJTKZ Tetovë, përfaqësuesit e SPB Tetovë, Armatën, si dhe të gjithë punonjësit në arsim për angazhimin e tyre shume serioz dhe konstruktiv drejt tejkalimit të kësaj situate emergjente;

-Gjuithashtu falënderoj edhe qytetarët të cilët i respektojnë masat dhe rekomandimet e institucioneve kompetente shëndetësore dhe rendit publik;

Dua të potencoj se hyjmë në një fazë të re, më sfiduese, në luftën kundër përhapjes së kësaj epidemije dhe kontributi i secilit prej nesh është jo vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm. Andaj apelojmë që qytetarët të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore;

Bashkë do ia dalim, pa panik, por gjithësesi me shumë kujdes!” – thotë Arifi