Gjermania, vendi që shëron më shumë pacientë me COVID-19

Gjermania është një ndër 5 shtetet me mbi 50 mijë raste të konfirmuara me COVID-19 së bashku me SHBA, Italinë, Spanjën dhe Kinën.

Marketing

Megjithatë, në krahasim me 4 të tjerat, Gjermania ka vdekshmëri shumë herë më të ulët (1%). Që në fillimet e shpërthimit të pandemisë Gjermiania u dallua për mobilizimin më të mirë në përballimin e sëmundjes megjithëse nuk parandaloi dot përhapjen e saj masive. Aktualisht atje janë konfirmuar rreth 67 mijë të prekur nga të cilët 682 kanë ndërruar jetë sipas të dhënave nga instituti i Universitetit John Hopkins.

Përse Gjermania ka kaq pak viktima kjo ende nuk ka një përgjigje. Nga njëra anë argumentohet se rastet janë kapur në kohë si pasojë e testimit masiv të popullsisë që u ndërmor si strategji. Një tjetër argument ka qenë ai se shifrat nuk janë raportuar saktë pasi nuk janë numëruar viktimat në shtëpi ose ata që kanë ndërruar jetë si pasojë e sëmundjeve të tjera por që kanë qenë të prekur njëkohësisht nga virusi. Të gjitha këto janë hipoteza të cilat nuk mund të vërtetohen tani pasi duan kohë. Por fakti që dihet tashmë është se Gjermania është vendi që shëron më shumë pacientë me koronavirus në botë në ditë.

Me 6,613 pacientë të shëruar 24 orët e fundit, ajo është një ndër të paktat vende ku raporti midis rasteve të reja dhe rasteve të shëruara, anon nga këto të fundit. Aktualisht bilanci ditor i Gjermanisë është +2278 që do të thotë se diferenca midis të shëruarve në një ditë dhe të prekurve është pozitive. Madje edhe Kina e cila është pothuajse e shëruar nga pandemia nuk arriti dot në këto shifra kaq të larta në periudhën e saj më të mirë të rasteve të shëruara. Nëqoftëse vijon më këtë trend, Gjermania mund të bëhet vendi i parë në Europë që do të mposhtë pandeminë.