Shqipëri, 13 viktima, 243 numri i të prekurve nga Covid-19

Janë rritur vrullshëm rastet e të prekurve nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. 20 raste të reja nga 145 persona të testuar. Sipas zëvendësministres së shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se bilanci i viktimave është rritur në 13, ndërsa numri i të shëruarve ka arritur në 53.

Marketing

“Në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19. Mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë në Spitalin Infektiv një paciente 82-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 62 vjeçar nga Durrësi të konfirmuar me COVID-19, me sëmundje bashkëshoqëruese. Shkon në 13 numri i personave që kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 pacientë të shëruar, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52.”,- deklaroi zëvendësministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Mjekët epidemiologë thonë se Shqipëria ende nuk e ka arritur kulmin e të infektuarve. Autoritetet vijojnë të bëjnë thirrje për shmangien e daljeve pa arsye dhe rritjen e higjienës personale.