Për dënimin e zyrtarëve të saj, BDI thotë se do të kërkojë drejtësi në instancat më të larta.
Nga kjo parti theksojnë se drejtësia e llojit të “Boki 13”, “Svarovski” dhe “Lui Viton” duhet të marrë fund.
“Bashkimi Demokratik për Integrim angazhohet për sundim të mirëfilltë të ligjit dhe shteti i së drejtës është prioritet absolut i të gjithë ne. Ne fuqishëm vazhdojmë të përkrahim drejtësinë e mirëfilltë dhe për të arritur tek një drejtësi europiane, duhet të ç’rrënjosim drejtësinë selektive të motivuar politikisht dhe etnikisht me vendime të cilat bazohen në porosi e jo në ligj. Drejtësia joselektive arrihet nëpërmjet vetingut të prokurorëve, gjykatësve dhe politikanëve. Besueshmëria e rrënuar e institucioneve të drejtësisë në sytë e qytetarëve si pasojë e ndërhyrjeve të vazhdueshme politike, dështimit të Prokurorisë Speciale, zhvatjes dhe lakmisë, Boki 13, Svarovski dhe Lui Viton motiveve, duhet të marrë fund. Një vend anëtar i NATO-s dhe në proces negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të kujdeset për integritetin e institucioneve, parashikueshmërinë ligjore dhe drejtësinë e pakorruptuar. BDI përkrah vetingun për të gjithë dhe nuk do të komentojë rastin e sotëm deri në përfundim të procedurave në instancat më të larta”,- thuhet në reagimin e BDI-së.