Krerët e Bashkimit Evropian kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku iu kërkohet Kosovës dhe Serbisë, të rikthehen sa më parë në tryezë.
Kjo deklaratë vjen pas emërimit të diplomatit sllovak, Miroslav Lajçak si përfaqësues special të unionit në bisedimet mes dy palëve.
Në deklaratën e drejtuesve më të lartë të BE-së dhe krerëve të misioneve diplomatike të shteteve anëtare në Prishtinë dhe Beograd, emërimi i Lajçak tregon angazhimin e unionit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne e mirëpresim emërimin e Miroslav Lajçak, si Përfaqësues i Posaçëm i Përfaqësuesit të Lartë/ Nënkryetarit të Komisionit Evropian Borell për dialogun Beograd-Prishtinë, dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Emërimi i tij sinjalizon angazhimin e fortë të BE-së në dialog. Ne u bëjmë thirrje të dy palëve të angazhohen me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së të sapoemëruar dhe të rifillojnë procesin pa vonesë”, shkruhet në deklaratë.