Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ka rekomandime të qarta për vendet dhe rajonet lidhur me lehtësimin e masave ndaj pandemisë, por u kërkoi atyre që të mos i heqin ato shumë herët.
“Njëra nga gjërat më të rëndësishme është që të mos hiqen shumë herët masat në mënyrë që të mos kemi një përkeqësim përsëri”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier.
Sipas tij, kjo situatë, është e ngjashme me të qenit i sëmurë vetë.
“Nëse ngritesh shumë shpejt nga shtrati dhe vrapon shumë herët, rrezikon të biesh prapa dhe të kesh komplikime”, shtoi ai.
Disa vende në botë kanë paralajmëruar lehtësimin e masave të izolimit dhe të gjendjes së jashtëzakonshme.
Më 6 prill Austria tha se mund të nisë lehtësimin e masave të izolimit nga java e ardhshme, por kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë distancimin fizik, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.