Shkëndija me donacion për Spitalin e Tetovës

KF Shkëndija si klub me përgjegjësi sociale bashkohet me çdo iniciativë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të prekurit nga virusi korona.

Marketing

Në këto kohë të vështira kur pandemia e COVID-19 ka paralizuar pjesën më të madhe të të gjitha sferave në gjithë globin, futbolli nuk është përjashtim dhe në këtë moment ‘topi ka ndaluar rrokullisjen’.

KF Shkëndija si klub me përgjegjësi sociale bashkohet me çdo iniciativë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të prekurit nga virusi korona.

Duke vlerësuar angazhimin e parezervë të komplet personelit mjekësorë të Spitalit Klinik të Tetovës, që nuk kursejnë asgjë nga vetja, madje rrezikojnë edhe shëndetin personal në interes të të qenurit në shërbim të qytetarëve në nevojë, klubi ynë në shenjë solidarizimi me ta ofron mbështetje përmes një donacioni (skafindera, doreza, dezinfektues, termometra infrared, saintaizerë dhe materiale tjera të nevojshme për situatën e krijuar).

“Shkëndija është e popullit dhe mbështetja e madhe e publikut gjithmonë ka qenë forcë shtesë për skuadrën. Tani në këto momente të krizës globale me përhapjen e pandemisë së virusit COVID-19, ne ndjejmë përgjegjësi për të qenë me dhe për popullin në mënyra të ndryshme. Përveç mbështetjes individuale që si futbollistë kemi ofruar ku kemi ndjerë se është nevoja, kemi parë të arsyeshme që të zgjasim dorën e ndihmës edhe për mantelat e bardha, gjegjësisht stafin mjekësorë që nuk kursen asgjë për tu dalë në ndihmë gjithë të prekurve nga virusi korona. Futbolli është sport ekipor dhe ne kemi bindjen se duke qëndruar pranë njëri tjetrit do ta fitojmë edhe këtë sfidë, për të dalë sa më shpejtë nga kjo situatë“, shprehet Mevlan Murati, i cili bashkë me Ennur Totren dhe Omar Imerin ishin personalisht në dorëzimin e këtij donacioni në Repartin e Sëmundjeve Infektive pranë Spitalit Klinik të Tetovës.

KF Shkëndija me këtë rast uron shërim për gjithë të prekurit nga virusi COVID-19, me shpresë dhe besim se kjo situatë do të përfundojë së shpejti për tu kthyer të gjithë në jetët tona normale.