YouTube ka ndaluar të gjitha videot ku flitet për teorinë konspirative, e cila nuk mbështetet në fakte, që lidh simptomat e koronavirusit me rrjetet 5G, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.
Shërbimi në pronësi të Google tani do të fshijë të gjitha videot që shkelin këtë politikë të kompanisë. Më parë politikat e kompanisë ishin të kufizuara në zvogëlimin e frekuencës që u rekomandonte përdoruesve videot në seksionin Up Next.
Masa e re vjen pas një interviste me teoricienin konspirativ David Icke, të transmetuar drejtpërdrejtë të hënën, në të cilën ai e kishte lidhur teknologjinë me pandeminë.
YouTube tha që kjo video do të fshihet.
Gjatë intervistës, Icke pretendon gabimisht se “ka një lidhje midis rrjetit 5G dhe kësaj krize shëndetësore”.
Ndërsa kur pyetet për reagimin e tij ndaj raportimeve për zjarrvënien e strukturave 5G në Angli dhe Irlandën Veriore, ai thotë se “nëse 5G vazhdon dhe arrin atje ku ata duan ta çojnë atë, jeta njerëzore siç e njohim do të përfundojë … kështu që njerëzit duhet të marrin një vendim “.
Disa përdorues më pas bënë thirrje për sulme të mëtejshme mbi kullat 5G në komentet që shfaqeshin përkrah burimit.
Icke gjithashtu pretendon se një vaksinë kundër koronavirusit, kur një e tillë do të zhvillohet, do të përfshijë “mikroçipa nanoteknologjike që do të mundësojnë kontrollimin e njerëzve”.
Ai shtoi se Bill Gates – i cili po ndihmon fondin për zhvillimin e vaksinës kundër Covid-19 – duhet të burgoset.
Teoritë e konspiracionit që lidhin rrjetin 5G me pandeminë e koronavirusit vazhdojnë të përhapen pavarësisht se nuk ka prova që dëshmojnë se sinjalet e telefonit celular paraqesin rrezik për shëndetin.
Bamirësia e kontrollimit të fakteve “Full Fact” ka lidhur këto pretendimet në dy teori me të meta.
Njëra sugjeron gabimisht se 5G shtyp sistemin imunitar, tjetra pretendon se virusi po përdor disi radiovalët e rrjetit për të komunikuar dhe zgjedhur viktimat, duke përshpejtuar përhapjen e tij.
Përderisa 5G përdor frekuenca të ndryshme radiofonike nga paraardhësit e tij, është e rëndësishme të kuptohet që brezi i valëve të përfshira ende është “jo-jonizues”, që do të thotë se i mungon energjia e mjaftueshme për të shkëputur lidhjet kimike në ADN në qelizat tona për të shkaktuar dëme.
Në fillim të këtij viti, shkencëtarët në Komisionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-Jonizues përfunduan një studim të madh të hulumtimeve të lidhura me këtë temë.
Ata rekomanduan kufij paksa më të shtrënguar në aftësitë transmetuese të vetë aparateve për të minimizuar çdo shans të dëmtimit të shkaktuar nga nxehja e indeve të njerëzve, por gjetja kryesore e studimit ishte që nuk kishte asnjë provë që rrjetet 5G ose sistemet e mëhershme mund të shkaktonin kancer ose lloje të tjera të sëmundjeve.
Teoria e dytë duket se bazohet në punën e një biologu fitues të Çmimit Nobel, i cili sugjeroi se bakteret mund të gjeneronin radiovalë.
Por, kjo mbetet një ide e diskutueshme dhe jashtë linjës së mendimit kryesor shkencor.
Ekziston një tjetër problem i madh me të dy këto teori – koronavirusi po përhapet nëpër qytetet në Mbretërinë e Bashkuar, ku rrjeti 5G akoma nuk është vendosur, dhe në vende si Japonia dhe Irani që ende pritet ta implementojnë këtë teknologji.