Sot mbushen 27 vjet nga pranimi i vendit tonë në KB më 8 prill 1993 kur njëzëri në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u bë anëtarja e 181 e plotfuqishme e Organizatës Botërore.
Megjithatë, për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranoi emrin e atëhershëm kushtetues Republika e Maqedonisë,, anëtarësimi në KB ishte bërë nën referencën e përkohshme Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Me pranimin në KB u konfirmua subjektiviteti ndërkombëtar juridik i vendit tonë 19 muaj pas referendumit më 8 shtator 1991 në të cilin qytetarët e RMV-së u deklaruan si shtet autonom, i pavarur dhe sovran. Vullneti formal i popullit si shtet i pavarur ishte konfirmuar me deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit të 17 shtatorit të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Hap i ardhshëm i rëndësishëm në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991, e cila 10 vjet më vonë ishte plotësuar pas konfliktit në vitin 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Pas kontestit shumëvjeçar për emrin, me ndërmjetësim të KB-së u arrit Marrëveshja e Prespës që rezultoi me ndryshim të emrit kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut. Me këtë u hap rruga e vendit drejtë NATO-s dhe BE-së.