Në Klinikën Infektive në Shkupit, nga Dibra janë dërguar edhe 13 teste për analiza të personave të dyshuar për infektim me virusin Korona. Po ashtu në izolim shtëpiak janë 71 persona, ndërkaq shifrat e tjera janë të njëjta për disa ditë me radhë.
“Gjendja e sigurisë në përgjithësi është e kënaqshme, ora policore respektohet, ka pasur një shkelje në fshatin Mogorçë, ku ka pasur një vjedhje, ndaj autorëve janë marrë masat ligjore. Në qytetin e Dibrës kanë hyrë 23 kamionë me mallra e barna, gjithashtu është organizuar edhe një protokoll edhe për daljen e shtetasve amerikanë të cilët duan të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”,- deklaroi kryetari i Shtabit Operativ, Hekuran Duka.
Ndërmarrja Komunale Publike “Standard” prej mbrëmë ka filluar me larjen dhe dezinfektimin e rrugëve të qytetit, ndërkaq Njësia e Zjarrfikësve do të angazhohet në dezinfektimin e objekteve kolektive dhe institucioneve publike. Kryetari i Shtabit Operativ, Hekuran Duka, falënderoi për përkrahjen e njerëzve në nevojë me ndihma që po japin mërgimtarët, biznesi privat dhe shoqatat humanitare.