Kurti i shkruan Lajçakut për parimet dhe ekipin negociator në bisedimet me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përmes një letërkëmbimi me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga BE-ja dhe SHBA-ja që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes.

Marketing

Kurti në letër i thotë Lajçakut se sipas Kushtetutës së Kosovës është i obliguar që të themeloj dhe udhëheq ekipin negociator të Kosovës.

Në këtë frymë, Kurti thotë se ekipit negociator do t’i printe ai, ndërsa anëtarë të tij do të ishin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe nga një përfaqësues të partive politike parlamentare: Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike, koalicionit AAK-PSD, Nismës Socialdemokrate, Listës Serbe dhe Grupit 6+.

Parimet e dialogut, sipas Kurtit
Kurti në kuadër të parimeve të dialogut thotë se palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme.

“Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore”, shkruan Kurti për të shtuar se “marrëveshja duhet të shoqërohet me një paketë masash politike, ekonomike dhe financiare që do të përshpejtonin përmirësimin e standardit të jetesës në të dyja vendet, si dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën ndaj mallrave serbe.

Palës kosovare në dialog i printe presidenti, Hashim Thaçi.

Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe, mirëpo e ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, gjë që ka ngjallur reagimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kërkuar shfuqizimin pa kushte të tarifës.

Çfarë thotë Lajçak?
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur heqjen e tarifës dhe nuk e ka komentuar vendosjen e masës së reciprocitetit.

Në letrën të cilën, i BE-së, Miroslav Lajçak i ka dërguar Kurtit, ai thotë se vendimin për heqjen e tarifës, e sheh si shenjën e parë konkrete të vullnetit për të rinisur dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Bashkëpunimi rajonal në këto periudha sfiduese, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjen e papenguar të mallrave, është thelbësor për të mbajtur në kontroll pandeminë. Gjithashtu në këtë kontekst, unë do të doja të përsëris mirëpritjen e BE-së për vendimin për heqjen e tarifave për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina”, thotë Lajçak në letrën të cilën e ka publikuar zyra e kryeministrit të Kosovës.

Ai shton se “emërimi i tij jep sinjale të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog”.

Rezervat e Thaçit ndaj Lajçakut
Emërimi i ish-kryediplomatit sllovak në pozitën e të dërguarit të BE-së për dialogun, nuk është mirëpritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë më herët se misioni i Lajçakut “është i paracaktuar të dështojë”.

“Misioni i tij është krijuar të dështojë për shkak të angazhimit të tij për të ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën”, ka thënë Thaçi.

Që nga ndërprerja e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësoheshin nga BE-ja, të dyja vendet kanë arritur dy marrëveshje: për hekurudhat dhe linjën ajrore.

Të dyja këto marrëveshje janë ndërmjetësuar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.