Punëdhënësit nga ndërmarrjet të cilët punojnë vetëm në turn të parë ta adaptojnë punën e tyre me kufizimet për lëvizje për mbrojtje nga koronavirusi, ndërsa ata të cilët punojnë në dy, tre apo katër turne do të kenë mundësi të japin leje për të punësuarit e vet të cilat do të vlejnë vetëm për vajtje-ardhje nga puna, porositi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në video sesionin informues onllajn KOVID-19.
“Pronarët dhe drejtuesit e kompanive të cilat punojnë në turnin e dytë., të tretë dhe të katërt mund t’u japin leje të punësuarve të vet për vajtje-ardhje në punë, të cilat do të kontrollohen nga Ministria e Punëve të Brendshme. MPB do të ketë të drejtë t’i kontrollojë të punësuarit dhe do të mund t’i sanksionojë nëse i keqpërdorin ato. U rekomandoj ndërmarrjeve t’i respektojnë të gjitha rekomandimet e Qeverisë për mbrojtje të shëndetit të punëtorëve”, tha Bekteshi.
Ai shfaqi shpresë se kjo do t’u ndihmojë operatorëve ekonomikë t’i përfundojnë obligimet e veta, ndërsa shteti të mundësojë vazhdimësi në krijimin e produkteve të cilat janë më se të nevojshme në kohë të këtillë.
“Furnizimi me prodhimet themelore në vend për momentin është i shkëlqyeshëm dhe nuk ka bazë për panik, sepse gjithçka është nën kontroll”, potencoi Bekteshi.
Sqaroi se në kohë të orës policore do të mund të punojnë edhe të gjitha restorantet dhe marketet që kryejnë shitje onllajn dhe dërgojnë ushqim.
Theksoi se Inspektorati shtetëror i tregut (ISHT) do të kontrollojë nëse dikush e keqpërdorë situatën dhe i rritë çmimet e prodhimeve që dërgohen dhe u bën thirrje qytetarëve të paraqesin në telefonin 191 nëse vërejnë diçka të tillë në shitore, apo, tek ata që dërgojnë ushqim.
Theksoi se për momentin nuk kanë vërejtur rritje të çmimeve në faturat e mallrave importuese dhe shtoi se Ministria e Ekonomisë së bashku me Drejtorinë e doganave çdo ditë e ndjekin gjendjen dhe nëse vërehet rritje e çmimeve, do t’i ngrijnë ato, siç bënë me frutat jugore ku çmimet tashmë po kthehen në normale.
Për kompanitë e mëdha ndërtuese theksoi se vetë do të duhet ta organizojnë procesin e tyre të punës, me respektim të të gjitha rekomandimeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht të ketë distancë prej 1,5 deri 2 metra mes secilit punëtor dhe të shfrytëzojnë mjete për dezinfektim, maska dhe dorëza mbrojtëse.