Autoritetet në Mal të Zi kanë arrestuar një punonjës mjekësor, të akuzuar për publikimin e një liste me emrat e personave të infektuar me koronavirusin e ri.
Prokurorët thanë se ndaj të akuzuarit ishte caktuar masa e paraburgimit deri në 72 orë, në pritje të hetimit të mëtutjeshëm të çështjes.
I dyshuari M.R është pjesë e departamentit të Teknologjisë Informative në Qendrën Shëndetësore në kryeqytetin malazez, Podgoricë.
Ai u arrestua më 7 prill nën dyshimin për grumbullimin dhe përdorimin e paautorizuar të informacionit personal.
Ai është akuzuar për ndarjen e të dhënave për pacientët COVID-19 me persona të tjerë që nuk janë të autorizuar të trajtojnë informacionin.
Një listë me të paktën 60 emra të personave të infektuar nga virusi, së bashku me numrat e tyre të identitetit dhe vitin e lindjes, është shpërndarë në rrjetet sociale që nga 3 prilli.
Qeveria urdhëroi një hetim, duke thënë se publikimi i emrave të pacientëve të infektuar “shkel të drejtat themelore të njeriut”.
Organizatat e shoqërisë civile dhe partitë e opozitës kanë dënuar gjithashtu publikimin e listës.
Në Mal të Zi janë 248 raste të konfirmuara me koronavirusi, dy prej të cilëve kanë vdekur.