Katër ish-ministra në Kosovë merren nën akuzë nga Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër katër ish-ministrave të Kosovës.

Marketing

Radio Evropa e Lirë raporton se, gjatë një hetimi që përfshinë 11 të akuzuar, Prokuroria ka marrë nën akuzë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare“ katër ish-ministra të qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, Besim Beqaj, Nenad Rashiq dhe Dardan Gashi.

Në njoftimin e prokurorisë këta persona nuk përmenden me emra por në bazë të përshkrimit të detyrave të tyre si anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim, bëhet fjalë për ish-ministrat e kabinetit qeveritar që në atë kohë udhëhiqej nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit B.B. kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, M.K., N.R., D.G. dhe L.F. anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër, dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti“, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ata ngarkohen me këtë akuzë pasi, siç thuhet në njoftim, më datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Për kohën kur ata janë nën akuzë, Mimoza Kusari-Lila ka shërbyer si ministre për tregëtinë dhe industrinë. Besim Beqaj ka qenë ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Nenad Rashiç ka shërbyer si ministër i Mirëqenies dhe Punës Sociale ndërsa Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.