Janë regjistruar edhe 23 raste të reja me koronavirus në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për 23 raste të reja me koronavirus, shkruan lajmi.net.
Po ashtu, IKSHKP njofton se 14 persona janë shëruar, kurse rastet e infektimit janë raste kontakti.
Më poshtë gjendet njoftimi i plotë i IKSHKP-së:
KATËRMBËDHJETË TË SHËRUAR DHE NJËZETË E TRE RASTE POZITIVE ME COVID-19!
Sot më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 189 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjithsej njëzet e tre (23) prej tyre kanë rezultuar pozitive.
Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë.
Sot më 10 prill 2020, janë të shëruar edhe katërmbëdhjetë (14) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e dy (52).
Nga data 08 shkurt deri më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.876 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar dy rastet e para, deri me 10 prill 2020 gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) raste pozitive të konfirmuara për virusin SARS-CoV-2.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.176 kontakte të rasteve.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 10 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 1.675.285 raste të COVID-19 dhe 101.485 raste të vdekjes.
QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!
MBANI DISTANCË FIZIKE PËR SË PAKU 2 METRA!
NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
Ju faleminderit për mirëkuptim!