Wuhani-Rimer jetën pas izolimit, martesa dhe dëshira

Në qytetin kinez të Wuhanit është rikthyer shpresa dhe jeta pas më shumë se dy muajve izolim total nga rreziku i epidemisë së koronavirusit.

Marketing

11 milionë banorët e qytetit kinez të Wuhanit po i rikthehen jetës normale pas izolimit 76-ditor nëpër banesa si pasojë e epidemisë së koronavirusit.

Në kryeqytetin e provincës së Hubeit, ku në janar shpërtheu sëmundja që do infektonte tërë botën, është rihapur edhe shërbimi për aktet martesore.

Aplikimi për certifikatën e martesës bëhet me internet ndërsa vizitat janë të limituara në numër.

Institucionet thonë se kanë marrë 400 kërkesa në 5 ditët e fundit, dhe se karantina e gjatë në shtëpi duket se e ka forcuar lidhjen e shumë çifteve.

“Më duket se e dua më shumë tani. Ngaqë ndenjëm bashkë gjatë shpërthimit të Covid-19, kemi ndjenja më të forta për njëri-tjetrin, dhe jemi më të vendosur për t’u martuar,” tregon Jang Tao, një dhëndër i ri.

Megjithëse nga e mërkura në qytetin e Uhanit janë hequr masat tejet të ashpra të ndalimqarkullimit, banorët ende tregohen të kujdesshëm në publik.

Disa rrëfejnë gjënë e parë që duan të bëjnë tani që janë të lirë të lëvizin nëpër qytet pasi transporti publik e privat janë rivënë në punë.

“Duam të blejmë ca ushqime dhe të nxjerrim të voglin tonë nga Liqeni i Lindjes, sepse iu desh të praktikojë ecjen në ambientet e shtëpisë.”

“Kam dalë të bëj stërvitje, t’i kthehem punës dhe të fitoj para.”

“Sot kam dalë të dorëzoj kërkesën për rihapjen e biznesit, të paguaj stafin dhe veten.”

“Kur të vijë dita që mund të heqim maskat, do doja shumë të uleshim për të ngrënë dhe për të pirë një çaj me fruta me miqtë.”

Në Uhan nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 75 për qind e vdekjeve nga koronavirusi, ndërsa në të gjithë vendin kanë humbur jetën 3,300 persona.

Të enjten, Kina raportoi 42 raste të reja, thuajse të gjitha të importuara nga jashtë dhe asnjë në Uhan, ndërsa mbi 1,100 pacientë po marrin trajtim spitalor.