Mbi 60 kosovarë pritet të futen në karantinë

Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, që është shndërruar së fundmi në karantinë për shkak të shpërthimit të koronavirusit, do të vendosen edhe 66 qytetarë.

Marketing

Lajmin për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij shtetasit kosovarë pritet të arrijnë nga Kroacia në Kosovë në orët e mbrëmjes.

“Janë 66 kosovarë, të cilët janë duke ardhur nga Kroacia. Ata pritet të mbërrijnë rreth orës 19:00”, ka thënë Hoti përmes telefonit.

Në Qendrën e Studentëve, aktualisht janë të vendosur rreth 400 qytetarë. Ata janë vendosur në ambiente të konvikteve pasi kanë arritur nga vendet tjera në Kosovë.

Në gjithë Kosovën është raportuar për 250 persona të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, 52 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur.