RMV/ Ora policore në fundjavë, plot 85 orë!

Ora policore gjatë ditëve të punës do të vazhdojë të jetë si javën e kaluar, nga ora 16 deri në ora 5 e mëngjesit të ditës që vijon. Megjithatë shtohen kufizimet për fundjavë për të shmangur festimet e festës së Pashkëve. Ora policore e fundjavës do të fillojë të premten në ora 16 dhe do të zgjasë deri të martën në ora 5 e mëngjesit, ose, 24 orë më shumë se fundjava që lamë pas.

Marketing

Izolimi total prej 61 orësh gjatë fundjavës rezultoi me qindra shkelje dhe të qindra të arrestuar. Nga e premtja në ora 16 dhe deri të hënën në ora 5, orën policore e kanë shkelur 389 persona, 297 prej të cilëve janë arrestuar kurse të tjerëve u janë marrë të dhënat dhe do të procedohen për shkelje. Ministri i Brendshëm Naqe Çulev njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, më shumë shkelje janë regjistruar në Shkup. Ai shprehu mirënjohje për qytetarët që kanë respektuar masat.

Policia gjatë kontrolleve nuk ka regjistruar asnjë shkelje të masës së izolimit dhe vetëizolimit nga personat që janë regjistruar dhe duhet ta respektojnë atë duke qëndruar në shtëpi.

Gjatë fundjavës, nuk janë përjashtuar mbledhjet nëpër shtëpi private, sidomos nëpër vendbanimet rurale. Megjithatë nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se nuk kanë kompetencë të kontrollojnë paraqitjet eventuale për rastet e këtilla.

Ministria e Punëve të Brendshme:

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka autorizim për të hyrë dhe për të kontrolluar pronat private, shtëpitë dhe oborret e njerëzve. Ministria e Punëve të Brendshme mund të reagojë vetëm nëse ka grumbullime dhe prishje të rendit publik, në hapësira publike.”

Grumbullime dhe prishje të rendit publik nuk pasur as në Dibër dhe Qendër Zhupë, komuna këto që janë në izolim total prej disa javësh.

Padi penale do të dorëzohet ndaj një 26 vjeçari nga Kavadari i cili ka sulmuar fizikisht zyrtarët policor të cilët e ndaluan gjatë orës policore të shtunën në mbrëmje.

Ndërkohë, MPB-ja gjatë kësaj periudhe monitoron edhe nëpunësit e saj. Procedurë disiplinore është ngritur kundër një inspektori të policisë në rajonin e Karposhit. Personi Z.R. ka vepruar në kundërshtim me udhëzimet për përdorimin e rrjeteve sociale, duke dëmtuar reputacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai më 8 prill është lidhur në transmetim të drejtpërdrejtë në profilin e tij në Facebook, derisa po kthehej në shtëpi nga puna, duke lëvizur përgjatë bulevardit “Aradhet Partizane”.