Pasi orë pasi deklaroi se LDK do të bëje koalicion me AAK dhe NISMA, Isa Mustafa deklaroi për RTV21 se nuk e kanë ende kandidatin e mundshëm për kryeministër.
“Përderisa nuk vjen mandati tek ne, ne nuk do ta hapim debatin e kandidatit për kryeministër sepse nuk do ta bëjmë askënd kryeministër nominal përderisa ne nuk na ofrohet mandati. Ne atë procedurë do ta kryejmë shpejt sepse kemi mjaft shumë kuadro në LDK dhe mendoj se ai është procesi më i lehtë që mund ne ta kapërcejmë”, tha Mustafa.
I pyetur nëse Vjosa Osmani mund të jetë sërish një kandidate për kryeministre, sidomos pas debateve pak kohë më parë kur u rrezua qeveria Kurti, kreu i LDK deklaroi:
“Nuk kemi ende një vendim. Zonja Osmani ka qenë kandidate atëherë tani është kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ajo ka dhënë deklaratat e saj lidhur me mocionin e mosbesimit edhe me koalicionet e ardhshme, do të thotë do të mbetet në vullnetin e saj dhe deklarimet e saj por në moment që ne hapim këtë çështje do të diskutojmë të gjitha opsionet e mundshme”, tha Mustafa.