Raportuesja për Kosovën në PE reagon rreth kufizimit të lëvizjes

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon-Taubadel ka thënë se rregullat për kufizim të lëvizjes në Kosovë duhet jenë në përputhje me rregullat kushtetuese.

Marketing

“Rregullat që krijojnë më shumë huti dhe nuk mund të zbatohen krijojnë më shumë dëm. Shtetet tjera kanë kufizuar kohën e qëndrimit jashtë, mirëpo jo edhe orën kur dikush mund të dalë. Qeveria duhet të shqyrtojë bazën kushtetuese”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.


Të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

“Sipas vendimeve, lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj, i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu në vendime shpjegohen edhe mundësitë e lëvizjes në lidhje me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar masat e qeverisë që ai drejton, duke i konsideruar ato si mjaft të vështira, por të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Opozita, ndërkaq, i ka cilësuar masat e fundit të qeverisë si jokushtetuese dhe përpjekje për të mbijetuar në pushtet.