Drejtori teknik i klubit turk të futbollit Galatasaray, Fatih Terim, ka rezultuar negativ në testin për koronavirusin e ri (COVID-19), pasi kishte dalë pozitiv në testin e kryer muajin e kaluar.
“Siç e dini, unë kam luftuar kundër këtij virusi për gati një muaj. Më besoni, nuk ishte e lehtë, por faleminderit Zotit. Sot doja të ndaja me ju rezultatin tim të testit pasi rezultova negativ për herë të parë gjatë trajtimit tim”, tha trajneri turk i futbollit në një video drejtpërdrejt në Instagram.
“Prandaj, ju lutem, mbrojeni veten në mënyrë serioze, të dashurit dhe njerëzit përreth jush”, shtoi ai.
Terim, 66 vjeç, u bëri thirrje ndjekësve të tij që të dëgjojnë paralajmërimet e ekspertëve të shëndetit dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave të koronavirusit.
Ai falënderoi stafin mjekësor për trajtimin e tij dhe tha se është i gatshëm të jetë dhurues për plazmoterapi nëse plotëson kriteret mjekësore.
Përveç klubeve në Itali dhe Turqi, Terim ka menaxhuar edhe Kombëtaren Turke të Futbollit.
Ai ka fituar tetë tituj të ligës turke me Galatasaray dhe vlerësohet si një nga menaxherët më të mëdhenj të futbollit në Turqi.
Turqia deri më tani ka raportuar 1.518 të vdekur nga virusi.