Për të uruar fillimin e programit 24 orësh në gjuhën shqipe, Servisin e Dytë Publik e vizitoi kryeparlamentari Xhaferi dhe sekretari shtetëror në MIOA. Xhaferi theksoi se tani e tutje institucionet nuk duhet të distancohen nga obligimi institucional në mbështetje të Servisit Publik.
“Nuk do mend që institucioni është dashur të bëjë përgatitjet e duhura paraprake për të zbatuar programin e përgjithshëm sipas ligjit në procedurë, normal që është dashur të bëhet rritja e numrit të personelit, se çdo program i veçantë besoj 24 orë për të funksionuar nuk ka mundur të funksionojë me numrin e të punësuarve që ka pasur paraprakisht, nuk do mend që procedurat paraprake që kanë qenë rreth referendumit, rreth zgjedhjeve presidenciale, lokale, parlamentare, të gjitha këto kanë krijuar pengesa procedurale, por e mira e gjithë asaj është që së fundmi po arrijmë aty ku ka qenë caku. Sidoqoftë në këtë situatë të zymtë, të rënduar me pandemi, një lajm të mirë për qytetarët është e duhur të ketë.”,- theksoi kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.