Turqia sot konfirmoi 125 vdekje të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19) gjatë 24 orëve të kaluara, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 1.643.
Numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara me koronavirus është rritur në 74.193, pasi 4.801 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë në virusin, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Turqisë në një deklaratë.
Deri më tani, gjithsej 7.089 pacientë janë shëruar dhe liruar nga spitalet, thuhet në deklaratë.
Siç thuhet më tej, 40.427 teste janë kryer gjatë ditës së kaluar, me çka numri i përgjithshëm i testeve arrin në 518.143, transmeton Anadolu Agency (AA). Turqia aktualisht po kuron 1.854 pacientë në njësitë e kujdesit intensiv, theksoi ministria.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca, në një postim në Twitter tha: “Ne kemi tejkaluar objektivin ditor prej 40.000 testeve. Rritja e numrit të rasteve tani është e parashikueshme”.
“Ne kemi dy forca: kujdesin dhe trajtimin. Le t’i përdorim ato”, shtoi Koca.