Autoritetet bëjnë ndryshime të Pakos Fiskale Emergjente

Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për Pakon Emergjente Fiskale, që përcakton saktësisht përfitimet dhe përfituesit e pakos në fjalë.

Marketing

Përmes një komunikate për media, Qeveria në detyrë ka thënë se: Ndryshimet dhe plotësimet e aprovuara të këtij vendimi përcaktojnë se përfitues të shumës prej 30 euro janë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore me vlerë deri në njëqind euro; ndryshimi tjetër përcakton se përfitues të mbështetjes financiare do të jenë shoqëritë tregtare edhe punëdhënësit e tjerë.

Aty po ashtu bëhet e ditur se ndryshimet e vendimit përcaktojnë se përfitues të mbështetjes financiare janë stafi mjekësor dhe ai mbështetës (mjekët, infermierët dhe personeli tjetër i ekspozuar ndaj rrezikut).

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka miratuar kohë më parë Pakon Emergjente Fisklae, në vlerë prej rreth 180 milionë eurove për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura pas përhapjes së koronavirusit.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë është raportuar për 480 persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Në mesin e tyre, 84 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.