Frika nga Kovid 19 ndryshon traditat,si po festohen Pashkët Ortodokse në botë

Të krishterët ortodoksë në botë festojnë festen më të rëndësishme në kalendarin e tyre këtë fundjavë, mes koronavirusit. Autoritetet në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme kanë thënë që besimtarët nuk duhet të marrin pjesë në shërbime.

Marketing

Sidoqoftë, në Gjeorgji, besimtarët do të jenë akoma në gjendje të ndjekin ceremonitë në kisha.

Ceremonia tradicionale e Zjarrit u krye në kishën e Varrit të Shenjtë, në Jeruzalem. Kisha u mbyll muajin e kaluar dhe vetëm një pjesë e vogël e klerikëve ortodoks, disa prej tyre duke mbajtur maska ​​të zeza, u lejuan në ceremoni. Një qiri u ndez nga Patriarku ortodoks grek, Theophilos III, për të simbolizuar ringjalljen e Jezusit.

Media izraelite raporton se në vend që flaka t’u kalohej mijëra pelegrinëve, këtë herë ky veprim u krye nga patriarku ortodoks armen, katër asistentë dhe kryepeshkopët sirianë.

Kisha Ortodokse e Rusisë ka pranuar të shkëputet këtë vit nga traditat e saj dhe po nxit miliona besimtarë të mos e frekuentojnë kishën. Adhuruesit zakonisht ndjekin ceremonitë që mbahen natën vonë për të marrë bekime nga prifti. Këtë vit mesha do të mbahet vetëm në prani të priftërinjve dhe klerikëve të tjerë.

Në Ukrainë, zyrtarët kanë thënë që policia do të vihet në veprim nëse besimtarët fillojnë të mblidhen në kisha, në një numër të madh.

Në Greqi kufizimet e lëvizjeve për frenimin e përhapjes së koronavirusit, deri më tani janë vlerësuar dhe respektuar gjerësisht. Është ndaluar ndjekja e shërbimeve kishatare, të cilat normalisht tërheqin qindra mijëra besimtarë.

Kur Zjarri i Shenjtë të arrijë në Athinë të shtunën në mbrëmje, ai do të merret nga patriarkati I Jeruzalemit në Athinë dhe për herë të parë nuk do të shpërndahet në kishat diku tjetër. Kisha e ka mbështetur ndalimin e grumbullimeve të njerëzve dhe mijëra policë janë vendosur për të ndaluar grekët të vizitojnë të afërmit e tyre.

Papa Ortodoks Tawadros II I Egjiptit mbajti një meshëtë të Premten e Mire, në një manastir në veri-lindje të Kajros. Shërbimi u transmetua drejtpërdrejt në kanalet televizive dhe tregoi priftërinjtë që qëndronin në distancë nga njëri- tjetri për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Në Rumani, njerëzit nuk do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre për të marrë Zjarrin e Shenjtë natën e Pashkëve ose të marrin bukë të spërkatur me ujë të shenjtë dhe verë, siç është tradita. Megjithatë do të shpërndahet në shtëpitë e besimtarëve që e kërkojnë një gjë të tillë. Presidenti Klaus Iohannis u bëri thirrje rumunëve që të hiqnin dorë nga ideja për të pasur pranë tyre të dashurit e tyre natën e Pashkëve, për shkak të koronavirusit.

Bullgaria ka vendosur shtetrrethim në kryeqytetin Sofje për të ndaluar trafikun brenda dhe jashtë qytetit në mënyrë që të ndalojnë njerëzit të shkojnë me pushime.

Kishat në Serbi dhe Mal të Zi u kanë thënë besimtarëve që të festojnë Pashkën në shtëpi.

Kisha Ortodokse e Maqedonisë së Veriut thotë se nuk do të përdorë forcë për të ndaluar njerëzit të shkojnë në kishë.