Selami: Fondet IPARD nuk do të shkurtohen, bujqit t’i shfrytëzojnë fondet pas pandemisë

Maqedonia e Veriut në vitin 2019 ishte lider në rajon për thithjen e IPARD fondeve në bujqësi, por këtë vit për shkak të pandemisë shfrytëzimi i këtyre fondeve është pezulluar për një periudhë të pacaktuar.

Marketing

Megjithatë zv drejtori i agjencisë për përkrahje të bujqësisë dhe zhvillimit rural Abdul-Selam Selami siguroi bujqit se nuk do të ketë shkurtime të mjeteve të programit IPARD.

Bëri thirrje që pas tejkalimit të gjendjes së jashëzakonshme bujqit të aplikojnë në konkurset e ndryshme.

“Në këto fonde nuk do të ketë asnjëfarë shkurtime të mjeteve që janë paraparë për bujqit në IPARD. Domethënë ky është viti i fundit i shfrytëzimit të IPARD 2, pasi afati ishte 2014-2020. Kemi fonde të bollshme . Dashtë Zoti që deri në denarin e fundit ti harxhojmë këto fonde në të mirë të bujqve. Me konkurset e ardhshme do vazhdojmë pas tejkalimit të kësaj gjendje të jashtë zakonshme” – tha Zv.Drejtori i Agjencisë për Përkrahje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, Abdulselam Selami.

Selami nuk beson se situata me virusin do të lë pasoja të mëdha në bujqësi. E rëndësishme sipas tij është që pagesa e subvencioneve po bëhet në kohë.

“Vazhdojmë me pagesë në kohë të subvencioneve. Ja dje kishim pagesën e subvencioneve të duhanit dhe me këtë mbarojmë pagesat e subvencioneve primare të vitit 2019 dhe vazhdojmë me pagesa të rregullta në periudhën e ardhshme të të gjitha subvencioneve sekondare.” – deklaroi Selami.

Fondet IPARD janë për mbështetje të bujqve në modernizimin e makinerive. Nëpërmjet këtyre fondeve shteti kofinanson 50 deri më 75% nga investimet totale që aplikojnë bujqit apo kompanitë bujqësore në konkurset e hapura.