Nis hapja e disa bizneseve në Shqipëri

Qeveria ka bërë publike në e-Albania një listë të aktiviteteve të cilat do të rihapen nga kjo e hënë. Mes aktiviteteve që lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre janë: tregtia e veshjeve, ajo e mishit, peshkut, elektroshtëpiakeve, luleve, e të tjera aktivitete që nuk krijojnë grumbullime njerëzish, transmeton EN.

Marketing

Sipas listës së publikuar në e-Albania, do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura baret, restorantet, parukeritë, dhe shërbime të ngjashme që veprojnë përmes kontaktit të afërt të stafit me klientët, apo krijojnë grumbullime njerëzish.

Ndërkohë, do të vazhdojë të lejohet shërbimi katering, ose dërgimi i produkteve të ndryshme në shtëpi.

Bashkëngjitur listës së bizneseve të cilave do t’u lejohet të ushtrojnë veprimtarinë, është edhe një protokoll i institutit të shëndetit publik që u rekomandon punëdhënësve masat që duhet të marrin për të kufizuar përhapjen e COVID-19. Sipas këtij protokolli në ato ambiente ku numri i punonjësve është i lartë kompanitë duhet të sigurojnë pajisen me maska dhe doreza të punonjësve, si dhe duhet të vendosin në ambientet e punës higjenizues dhe dezinfektant me mbi 60% alkool.

Gjithashtu, duhet respektuar distanca fizike ndërmjet punonjësve dhe duhet evituar çdo lloj kontakti fizik i panevojshëm.