Në emisionin FanZone në Supersport ishte Taulant Seferi, futbollisti që është në pronësi të kampionëve të Zvicrës Young Boys por që në këtë sezon, po aktivizohet si i huazuar te Xamax po në Superligën zvicerane.
Djaloshi i lindur në Kumanovë ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në rang kombëtaresh. Në intervistën për Supersport Seferi shpjegoi zgjedhjen e tij, foli për situatën në Zvicër, këshilloi kombëtaren kuqezi të shikojë më shumë nga talentet nga Maqedonia e Veriut, ndërsa zbuloi edhe dëshirën e tij për të ardhmen.
“Edhe këtu në Zvicër janë mbyllur të gjitha dhe ne mundohemi ta mbajmë vetë trupin në formë.Sezoni në aspektin individual? Shpresoj që kjo situatë të kalojë dhe ne të kthehemi të luajmë përsëri. Sapo të përfundoj huazimin te Ksamaksi në fund të sezonit do rikthehem te Jang Bojs që kanë kartonin tim, ku shanset janë që të qëndroj. Do bisedoj dhe nëse nuk më shohin si një lojtar kyç atëherë do largohem, por të shohim”.
“Në Kombëtare është një konkurrencë e madhe, por mendoj se kjo është diçka e mirë për mua, pasi duhet të punoj më shumë dhe të zë një vend te Shqipëria. Në Maqedoni ka shumë talente dhe Shqipëria duhet të shikojë më shumë edhe në këtë vend”.
“Kosovë-Maqedoni? Do shkoj ta shikoj ndeshjen live nëse e kam të mundur, por mendoj dhe shpresoj në një kualifikim të Kosovës”.
“Gjithmonë ka qenë dëshira ime dhe e familjes që të luaja për Shqipërinë, e cila është edhe kombi im”.
“Shkëndija e Tetovës dhe lojtari më i mirë shqiptar? Për momentin jam akoma i ri dhe nuk mendoj për Shkëndijën, pasi dua të luaj në Europë. Lojtari më i mirë te Shqipëria për të gjithë kohën është Igli Tare, por pëlqej shumë edhe Canën”.
“Shoku më i mirë te Kombëtarja? Etrit Berisha, i cili më ka trajtuar shumë mirë dhe ka bërë shaka me mua që në fillim”.
“E kam si objektiv në karrierë, që të luaj në 3 kampionatet më të mëdha në Europë.”, u shpreh mesfushori për “Supersport”.