Mbi 45.000 qytetarë gjatë periudhës së kaluar e kanë shkarkuar aplikacionin “Stop Korona”, me qëllim që të mbrohen nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë u rekomandon mjekëve amë t’ua rekomandojnë aplikacionin pacientëve.
“Aksioni për shkarkimin e aplikacionit përmes mjekëve amë, mendoj se do të japë rezultate. Sërish do të theksoj, nuk kemi për qëllim të vendosim masa restriktive dhe këtë njerëzit ta ndjejnë si një lloj obligimi, edhe pse duhet të jetë obligim qytetar. Thejsht, duam të ndjejnë se duhet ta shkarkojnë për mbrojtje të tyre”, tha Damjan Mançevski, Ministri i Administratës Publike.
Aplikacioni është i sigurt, siguron ministri. Është e rëndësishme të shfrytëzohet në periudhën që vijon, kur masat për kufizim të lëvizjes do të zbuten. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se në të ardhmen aplikacioni do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të përcaktimit të gjendjes së vërtetë, bashkë me bërjen e vlerësimit të imunitetit të popullatës.
“Do të vijë periudha kur do të duhet të bëhet edhe vlerësim për të parë se si t’i dimensinojmë masat e tjera që do të vijonin dhe të cilat do t’i rekomandonim gjatë verës, apo në fillim të vjeshtës. Edhe atëherë, ky aplikacion në atë moment, respektivisht nevoja nga vlerësimi i imunitetit të popullsisë do të ketë rëndësi të madhe, për shkak se do t’i tregojë kontaktet për të cilat njeriu ndoshta nuk është i vetëdijshëm se i realizon në një moment të caktuar”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Jo vetëm Maqedonia, por edhe vende të tjera në botë si Gjermania dhe Australia, planifikojnë të përfshihen në ndjekjen e personave të mundshëm të prekur përmes këtij aplikacioni. Këtë hap deri më tani e kanë ndërmarrë Singapori, Kina, Izraeli dhe Rusia.