Në një komunikim me qytetarët në ‘Facebook’ kreu i qeverisë Edi Rama tha se javën e ardhshme pritet që qeveria të hartojë një plan masash të tjera për sa i përket hapjes.
Sipas Ramës këto plane do të bëhen duke u bazuar tek harta e shtrirjes së virusit COVID-19, ku në zonat që ka risk të ulët, do të ketë edhe më shumë lehtësime.
“Do të hapemi me kujdes, ama jo kudo njësoj njëkohësisht. Çfarë do të thotë kjo? Po ta shohim sot bilancin e Shqipërisë në hartën e Ballkanit apo të botës po të doni ne hyjmë në grupin e vendeve më të suksesshme aktualisht, në dy parametrat kryesor, të tjerat janë të gjitha të rëndësishme por dy janë kryesor.
Numri i të vdekurve për 1 milion banorë dhe numri i të sëmurëve në terapi intensive në raport me të infektuarit, sepse masat e forta kanë funksionuar më së miri deri këtu falë qeverisë që i mori shpejt dhe më lejoni ta them që ka bërë një menaxhim shembullor. Por mbi të gjitha falë jush që në 99% keni qenë mbrojtës të familjeve tuaja dhe të vetë popullit që të gjithë i përkasim.” tha Rama.
“Për shembull në Gjirokastër apo Dibër ku risku është shumë i ulët mund të kemi më shumë lehtësim masash, por në Krujë asnjë lehtësim, apo në Tiranë dhe Durrës një lehtësim të moderuar. Këto mund të variojnë në varësi të dinamikës së luftës dhe sjelljes së qytetarëve. Kjo qasje do të lehtësojnë shumë në zona të ndryshme lëvizjen me këmbë apo me makinë. Brenda disa bashkive mund të lehtësojmë shumë lëvizjen. Për shembull për njerëzit e fshatit për të shkuar në qytet, apo një familje që të rrijë e gjithë brenda. Edhe fshat orare nuk kanë pse të jenë njëlloj si në zonat me risk të ulët dhe te ato me risk të lartë. Masat e shtrënguara në një zonë me rrezik të lartë, mund ta kthejnë me rrezik të ulët si zonë. Javën e ardhme në bazë së hartës së epidemisë do të pilotojmë në disa zona me risk të ulët një lehtësim të masave” tha Rama.