Reagime të ashpra dhe zhgënjim te lëvizja “Anti-bixhoz” ka shkaktuar vendimi i Qeverisë që kazinove dhe bastoreve t’u mundësojë të ofrojnë shërbimet e tyre onlajn. Qytetarët që janë kundër punës së bastoreve, për Alsat thonë se janë të revoltuar nga ky vendim, pasi në fillim të vitit nga Qeveria u kanë premtuar se gradualisht kazinot dhe lojërat tjera të fatit do të mbyllen.
Se kazinot, bastoret dhe aparatet e pokerit nuk do mbyllen e konfirmoi edhe ministrja e financave Nina Angellovska e cila tha se me aplikimin e shërbimeve onlajn në këtë veprimtari do u ndihmohet më shumë se 7 mijë punëtorëve. Gjithashtu Angellovska tha se po punohet në përmirësimin e ligjit për funksionimin e kësaj veprimtarie dhe vendosjen e parimeve të reja në punë.
Ky propozim do gjendet në seancën e Qeverisë dhe do të diskutohet për të njëjtin. Do doja në frymën e transparencës të theksoj se në buxhet hyjnë rreth 40 milionë euro në bazë të këtij tatimi të posaçëm që e paguajnë organizuesit e lojërave të fatit, e që është 23 ose 20% për buxhetin ndërsa 3% ndahen për institucionet tjera- deklaroi Nina Angellovska, ministre e Financave.
Protestat në dy vitet e fundit organizohen nga qytetarë që janë kundër punës së këtyre veprimtarive të bixhozit. Deputetët e BDI-së dorëzuan dy propozim ligje, njëri, të mos ketë bastore në radius prej 500 metrave nga shkollat dhe i dyti, të mos ketë asnjë lloj të lojërave të fatit në vendbanime. Por ato propozime nuk kaluan në Kuvend. Nga lëvizja Anti- bixhoz kishin shpresa se qeveria do e ndjekë shembullin e Shqipërisë ku nga 1 janari i këtij viti u mbyllën të gjitha kazinot dhe bastoret.