Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten në Paterson të shtetit amerikan të Nju Xhersit, ndërsa një patrullë policie ka qëlluar për vdekje në mes të rrugës një qytetar.
Sipas mediave lokale viktima është identifikaur si 42-vjeçari Luan Agolli, ndërkohë që skena është filmuar nga ballkonet apo dëshmitarët dhe tashmë video me pamjet e rënda qarkullon në rrjet.
Sikurse shkruajnë mediat lokale amerikane: “Të enjten në Carroll Street pati një shfaqje të rëndë të regjistruar edhe nga video te ndryshme, që tregon Agollin duke kaluar rrugën i nervozuar, ndërsa në dorë mban një armë. Oficerët e policisë e rrethojnë dhe i kërkojnë që ta hedhë armën. Pas një situate që shkon në rreth tre minuta, duket se Agolli ngre armën dhe e drejton tek një officer. Ai u qëllua nga një breshëri zjarri”, shkruajnë mediat vendase.
Të katër oficerët e policisë, që raportohen se kanë hapur zjarr ndaj shqiptarit, ishin me përvojë në patrulla dhe kishin patur të tjera raste me persona të armatosur në të shkuarën.
Sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Xhersit, që po merret me hetimin e çështjes, Agolli kishte injoruar disa herë thirrjet për të hedhur armën.