A janë udhëheqëset femra më të suksesshme në menaxhimin e Kovid 19?

Në 1 Prill, Kryeministrja e Sint Maarten iu drejtua 41.500 qytetarëve të kombit të saj. Rastet e koronavirusit po rriteshin dhe Silveria Jacobs e dinte se vendi i vogël ishte në rrezik të madh: kishte vetëm dy shtretër spitalorë.

Marketing

Jacobs nuk dëshironte të impononte një izolim dhe mbyllje të rreptë, por ajo donte që të mbahej distanca fizike. Kështu ajo u shpreh: ‘Thjesht. Mos. Lëviz. Nëse nuk keni bukën që ju pëlqen në shtëpinë tuaj, hani drithëra, hani tërshërë, hani… sardele’.

Kryeministrja 51-vjeçare e Karaibeve mund të mos ketë profilin global të Angela Merkel por mesazhi i saj i qartë ilustroi komunikimin efektiv – dhe tregoi një tjetër udhëheqëse femër duke bërë më së miri punën e saj.

Ardern, 39 vjeç, kryeministrja e Zelandës së Re ka shpërndarë video-mesazhe miqësorë nga shtëpia e saj, në të cilat deklarohej: ‘qëndroni në shtëpi, shpëtoni jetë’.

Kryeministrja ka komunikuar çdo ditë me qytetarët e saj përmes konferencave për shtyp ose videove të Facebook Live. Këmbëngulja e saj për të shpëtuar jetë dhe qasja e saj – që ka nxitur Zelandezët të kujdesen për fqinjët e tyre, të kujdesen për të prekurit nga koronavirusi dhe të bëjnë sakrifica për të mirën e të gjithëve- ka fituar fansat e saj të shumtë, ndërsa theksimi i përgjegjësisë së përbashkët, ka bashkuar vendin. Jacinda Ardern vendosi një karantinë 14-ditore për këdo që hynte në vend nga 14 marsi dhe zbatoi një izolim të rreptë dy javë më vonë, kur më pak se 150 njerëz ishin infektuar dhe askush nuk kishte vdekur. Zelanda e Re ka regjistruar vetëm 18 vdekje; besimi i qytetarëve në qeverinë e Ardern është më shumë se 80%.

Në Gjermani, Angela Merkel ka realizuar një numër të madh testimesh, që në fillim të shpërthimit të koronavirusit. Merkel ka rikujtuar vazhdimisht të gjithë popullsinë që çështja e covid-19 është serioze, ndaj duhet të merret seriozisht. Gjermania deri tani ka shënuar më pak se 5.000 vdekje, një numër shumë më i ulët se pjesa më e madhe e shteteve europiane. Përkrahja e qytetarëve gjerman për qeverinë Merkel është 70 %.

Në Danimarkë, kryeministrja Mette Frederiksen mbylli kufijtë e vendit skandinav që në 13 Mars, disa ditë më vonë mbylli të gjitha kopshtet, shkollat dhe universitetet dhe duke ndaloi mbledhjet e më shumë se 10 njerëzve. Kjo vendosmëri ndihmoi Danimarkën duke arritur më pak se 8,000 raste të konfirmuara dhe 370 vdekje. Fjalimet e Frederiksen dhe udhëzimet e qarta janë lavdëruar gjerësisht. Ajo madje arriti të argëtojë qytetarët, duke postuar një video në Facebook teksa lante enët dhe këndonte. Kryeministrja e vendit skandinav, vlerësimet e miratimit të të cilës janë dyfishuar në më shumë se 80%, tani ka filluar të lehtësojë masat.

Jo të gjitha gratë që kanë shkëlqyer në krizën e koronavirusit, janë udhëheqëse kombëtare.

Jeong Eun-kyeong, drejtuesja e qendrës së Koresë së Jugut për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, është bërë një ikonë kombëtare pasi mbikëqyri një strategji ‘testim, gjurmim, ruajtje’, që e ka bërë Korenë e Jugut, vendin model të trajtimit të koronavirusit, me infeksione të përditshme njëshifrore dhe një numër vdekjesh më pak se 250.

Një nga faktorët që ka ndikuar në suksesin e femrave drejtuese mund të jetë se gratë lidere kanë më shumë gjasa të zgjidhen në ‘një kulturë politike në të cilën, ka një mbështetje dhe besim relativ në qeveri’. Një faktor i tillë nuk thekson dallime midis grave dhe burrave drejtues.

Gerson, profesoreshë sociologjie, në një intervistë për The Hill tha: ‘Burrat mund t’a kenë më të vështirë të shpëtojnë nga ‘mënyra sesi të tjerët presin që ata të sillen’ si udhëheqës. Duke qenë se udhëheqësit shumë të mirë janë të fortë, vendimtarë dhe të aftë për të shfaqur ndjenjat e tyrë, grate mbase, mund të udhëheqin rrugën për të treguar se këto nuk janë atribute konkurruese, por plotësuese – dhe të domosdoshme për një udhëheqje të mirë.