Kryeministri britanik, Boris Johnson, do të kthehet në vendin e punës të hënën, pas shërimit nga koronavirusi dhe qëndrimit në repartin e kujdesit intenziv në spital, konfirmoi një zëdhënëse e qeverisë.
Politikani 55-vjeçar do ta rimarrë kontrollin e qeverisë që ndodhet nën trysni për shkak të ndikimit negativ ekonomik të masave kufizuese, të cilat janë marrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Të shtunën, Britania e Madhe i regjistroi mbi 20 mijë viktima nga Covid-19, duke u bërë vetëm shteti i katër në Evropë dhe i pesti në botë që e kalon këtë shifër, pas Shteteve të Bashkuara, Italisë, Spanjës dhe Francës.
Qeveria ka marrë kritika rreth menaxhimit të situatës edhe për shkak të kapaciteteve të kufizuara për testimin e popullsisë dhe mungesës së pajisjeve mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, shkruan “Reuters”.
Ministri i Brendshëm britanik kërkoi që njerëzit t’i respektojnë masat kufizuese.
Megjithatë, shumë ligjvënës po kërkojnë që ato të lehtësohen për ta rimëkëmbur ekonominë, e cila është parashikuar të futet në recesionin më të thellë në 300 vjetët e fundit