Komisionarja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, u bëri thirrje vendeve të përmbahen nga shkelja e të drejtave të njeriut derisa marrin masa të jashtëzakonshme për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
“Vendet po minojnë sundimin e ligjit në emër të luftimit të pandemisë së koronavirusit duke shkaktuar një fatkeqësi për të drejtat e njeriut”, tha ajo.
“Masat urgjente nuk duhet të jenë një armë që qeveritë mund ta përdorin për të minuar kundërshtimin, pastaj për të kontrolluar popullatën dhe madje edhe të zgjasin kohën e tyre në pushtet”, tha Bachelet.
“Ato duhet të përdoren për të përballuar në mënyrë efektive me pandeminë – asgjë më shumë, asgjë më pak”, shtoi ajo.
Komentet e saj erdhën pasi më shumë se 200,000 njerëz kanë vdekur dhe gati tre milionë janë infektuar nga koronavirusi i ri, i cili u shfaq në Kinë në fund të vitit të kaluar.
Bachelet pranoi se shtetet kanë të drejtë të kufizojnë disa të drejta për të mbrojtur shëndetin publik, por ajo këmbënguli që çdo kufizim duhet të jetë i nevojshëm, proporcional dhe jo-diskriminues, dhe gjithashtu i kufizuar në kohëzgjatje, raporton AFP.