A do ta paguajë gjobën Dimitrievski? Zaev: Përgjegjësia duhet të mbahet, qoftë edhe në të holla

Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski dhe drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Kumanovë Goran Stojanovski dje janë testuar edhe një herë sipas protokollit nga Qendra për Shëndet Publik, Kumanovë dhe siç mëson TV21 kanë rezultuar negativ ndaj koronavirusit.

Marketing

Por a pranon që ta paguaj dënimin në të holla deri në 500 euro për mosrespektimin e karantinës? Kryetari i Kumanovës nuk pranon të prononcohet për TV21, ndërsa Stojanovski tha se nuk është problem te parat dhe dënimi, por te Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor të cilët gjatë mbikëqyrjes kanë bërë një serë lëshimesh.

“Bëhet fjalë për një gabim, por unë mendoj së është gabim teknik. Unë nuk dua të krijoj mendime që ai gabim është fryt i mendimi tjetër. Nuk është problem Covid-19 por ju po e përkeqësoni edhe gjendjen psikike të qytetarëve, me çka ju e keni nxjerrë si pozitiv por ai person është negativ, ndodhin edhe gjëra të tilla. Këtu është problemi, nuk duhet që qytetarët t’i llogarisim si numra të thjeshtë, nuk ka numra por ka qytetarë”, tha Goran Stojanovski, Drejtor i QMK.

Por si e sheh gjithë këtë situatë lideri i LSDM-së Zoran Zaev, ndaj bashkpartiakut të tij Dimitrievskit. Zaev thotë se përgjegjësia duhet të mbahet qoftë nëse është edhe në të holla, ajo duhet të paguhet tha ai.

“Absolutisht jo, ne jemi parti demokratike, njerëzit janë të lirë për të dhënë komente. Miku ynë Maksimi dhe kumanovarët duhet ta dinë se Qeveria u është në dispozicion me gjithçka që posedojmë, si njohuri edhe resurse, sepse nuk bëhet fjalë për Maksimin por për bashkëqytetarët tanë. Do të ndihmojmë me çka mundemi, nuk është momenti të brengosemi por të vërtetojmë se ku është përgjegjësia dhe të mbahet ajo përgjegjësi, nëse është në të holla të paguhet”, tha Zoran Zaev, Lider i LSDM.

Ndonëse në testimet e para që u realizuan nga Qendra për Shëndet Publik para dy jave u diganostikuan me Covid-19, Dimitrevski dhe Stojanovski dolën nga izolimi shtëpiak për tu ritestuar privatisht, ku rezultuan se janë negativ. Instituti për Shëndet Publik për TV21 pati thënë se diferenca e testeve të bëra ka qenë 10 ditë me çka virusi korona ka mundur të asgjësohet dhe se nuk ka gabime në procedurë. Dimitrievski insiston se ka respektuar të gjitha rregullat e sigurisë gjate testimit në klinikat private dhe se nuk ka rrezikuar shëndetin e askujt.