Kushtetuesja pritet të rivlerësojë arsyeshmërinë e shpërndarjes së Kuvendit

Gjykata Kushtetuese, siç mëson Alsat, gjatë javës së ardhshme pritet të diskutojë për kushtetutshmërinë e dy vendimeve të Presidentit Stevo Pendarovski për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Nismat janë të partisë “E majta” dhe kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme prej 30 ditësh.

Marketing

Nga ana tjetër, Alsat jozyrtarisht mëson se Kushtetuesja së shpejti mund të kthejë në rivlerësim arsyeshmërinë juridike të vendimit për shpërndarjen e Kuvendit. Tashmë qëllimi për të cilin Kuvendi është shpërndarë nuk është realizuar dhe të gjitha afatet e zgjedhjeve janë shkelur, duke përfshirë edhe vetë ditën e zgjedhjeve që duhet të ishte 12 prilli. Kjo nënkupton se arsyet për të cilat Kuvendi ishte shpërndarë nuk vlejnë më.

Javë më parë, Kushtetuesja vlerësoi se nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Kuvendit më 16 shkurt, nuk kishte bazë për vlerësim sepse ishte e drejtë. Megjithatë, tashmë situata ka ndryshuar, dhe në bazë të kësaj, Gjykata Kushtetuese pritet t’i rikthehet kësaj çështje. Kjo do t’i hapte rrugë Kuvendit që të rikthehet në punë vetëm për dy qëllime; të konfirmojë dy vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme dhe të japë vlerësim për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja.