Shkruan: Dr.Kujtim Kasami
Mesazhe Ramazani
Ramazani është muaji më i bukur dhe ditët e tij janë ditët më të bekuara, ai qortohet nga të devotshmit për mungesën e tij. Vjen pas një mungese të gjatë dhe kalon pas një prezence të shkurtër. Sa të këndshme duken netët e gjallëruara edhe në këtë gjendje të jashtëzakonshme duke bërë përpjeke për të ndjer hë për hë, drejtësinë shpirtërore sociale së paku gjatë këtij muaji të bekuar të agjërimit, e sidomos në kohën e syfyreve që janë ekskluzivitet i muajit të shenjtë të ramazanit. Në këto momente të veçanta dhe me vlerë të dalluar, në rradhë të parë të lutemi tek Zoti i Madh për falje dhe mëshirë dhe më pastaj të meditojmë për Madhështinë e Tij. Të mendojmë dhe të kujtojmë të sëmurët, të privuarit nga liria, të ngratët, skamnorët, jetimët, të pastrehët, ata që kanë mbetur në rrugë, të gjithë nevojtarët, të humburit dhe të pagjeturit, të kujtojmë atyre që u kemi bërë dëm me dije apo pa qëllim…
Të mendojmë për përgjegjësitë që kemi, për rrugën kah udhëtojmë, jetën si e harxhojmë…! Është momenti ma i mirë për kthjellim dhe reflektim, për vetëbesim dhe orientim, për këshillim dhe udhëzim …! Zoti i Madh që je edukatori ma i mirë për gjithë njerëzimin, na jep mbarësi dhe mirësi, dashuri dhe krenari, fuqi dhe besim, mëshirë dhe udhëzim, begati dhe afërsi për të gjithë !
Agjërimi është një adhurim që synon ekuilibrin e shpirtit dhe reformimin e tij dhe i shton forcën e durimit. Nëpërmjet kësaj metode pastrimi, agjërimi e sjell njeriun më afër Zotit, si dhe më afër nevojave të krijesave të Tij. Prandaj shumë kujdes se si i kalojmë ditët dhe netët e këtij muaji me shumë mirësi.
Edukatori i gjithë njerëzimit Muhamedi a.s. na mëson duke thënë: “Ka shumë agjërues, që nuk fitojnë asgjë nga agjërimi i tyre përveç etjes dhe urisë dhe ka shumë nga ata që çohen gjatë netëve për namazin e natës, por nuk fitojnë asgjë përveç pagjumësisë.” – hadith.
Të shfrytëzojmë momentet më të mira në këtë muaj siç janë: iftari dhe syfyri. Nga Profeti a.s. është vërtetuar të ketë thënë: “Me të vërtetë agjëruesi, në kohën e iftarit, ka një lutje që nuk i refuzohet…” Andaj lutej për mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër. Po ashtu ka thënë Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem: “Do të vazhdojë umeti im të jetë në mirësi për aq kohë sa do ta shpejtojnë iftarin dhe do ta vonojnë syfyrin.”
Lutja e iftarit: “Allahu im, për shkak Tëndin kam agjëruar, Ty të besoj, tek Ti mbështetem dhe me të mirat Tua bëj iftar. Etja u shua, damarët e gjakut u freskuan dhe shpërblimi u shënua, nëse do Zoti.”
Koha e syfyrit është koha e bekuar, është kohë në të cilën zbret Allahu ashtu siç i takon madhërisë së Tij. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam: “Zbret Allahu i Madhëruar në çdo natë, në qiellin e kësaj toke, në kohën kur mbetet 1/3 e fundit e natës, dhe thotë: Kush më lut që t’i përgjigjem, kush më kërkon që t’i jap, kush më kërkon falje që t’ia fal”. (Buhariu)
Falja gjatë Ramazanit është dashuri dhe adhurim, është mallëngjim dhe përafrim që bëhet në mes besimtarit dhe Krijuesit të tij.
1.5.2020