​Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.

Marketing

3 Maji, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Shtypi i Lirë konsiderohet si dritarja që shërben për të zbuluar abuzimet e të drejtave të njeriut, ai përbën lirinë e shprehjes. Në kuadër të kësaj lirie, mediat dhe gazetarët kanë përgjegjësitë e tyre.

Shumë gazetarë në periudha të ndryshme kanë dhënë një kontribut të madh në fushën e gazetarisë. Një i tillë konsiderohet në gazetarinë amerikane edhe Eduard R. Morrov, i cili filloi gazetarinë trasmetuese me valë të radios nëpërmjet trasmetimeve nga Londra, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Eduard Morrov besonte në lirinë shtypit. Ai kryesoi Entin Amerikan të Informacionit për një periudhë kohe.

3 Maji shërben për të kujtuar dhe reflektuar rreth punës, kurajës dhe guximit të individëve që gjatë diktaturës komuniste dhanë një kontribut të madh me shkrimet dhe veprat e tyre të ndaluara nga regjimi i kohës dhe që për të mbrojtur lirinë e shprehjes disa e paguan edhe me jetë.

Në kujtim të gazetarëve që kanë dhënë jetën për të drejtën për të qenë të informuar, UNESCO vazhdimisht në këtë ditë kërkon mbajtjen e një minute heshtje në kujtim të tyre.